2006-10-03 16:32:20

Nënshtetësi botërore, kapital shoqëror global, autoritet politik mbikombëtar: propozime të kardinalit Martino në Institutin Katolik të Parisit.


(3.10.2006 RV)Nënshtetësi botërore, kapital shoqëror global, autoritet politik mbikombëtar: këto janë tri pistat e reflektimit, parë në dritën e doktrinës shoqërore të Kishës, që u propozuan sot nga Kardinali Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, në hapjen e Vitit Akademik të Institutit Katolik të Parisit.
Duke u mbështetur mbi Përmbledhjen e doktrinës shoqërore të Kishës, si kujtoi katër parimet themelore: dinjitetin dhe lirinë e njeriut, të mirën e përbashkët, ndihmën dhe solidaritetin – kardinali vuri theksin mbi tre koncepte të reja të kësaj doktrine, të cilat ua paraqiti si pista reflektimi profesorëve dhe studentëve, duke pasur posaçërisht parasysh panoramën e sotme ndërkombëtare.
Duke folur për konceptin e nënshtetësisë botërore, kardinali theksoi se kjo nënshtetësi vjen para çdo nënshtetësie ligjore kombëtare, sepse çdo njeri i përket familjes së vetme njerëzore. Sipas Hirësisë së Tij, dënimi i racizmin, mbrotja e të miturve, asistenca e emigrantëve dhe e refugjatëve, mobilizimi i solidaritetit ndërkombëtar në ndihmë të të gjithë nevojtarëve, pavarësisht në se janë nënshtetas të një shteti apo jo, s’janë tjetër veçse zbatime të parimit të nënshtetësisë botërore.
Më pas kardinali foli edhe për kapitalin shoqëror, i cili duhet shtrirë në nivel global, si burim kryesor i bashkësisë botërore.
Së fundi ripohoi nevojën për një autoritet politik botëror, duke pasur parasysh se sot asnjë fuqi kombëtare, sado e fortë që të jetë, nuk është në gjendje të vërë, e vetme, bazat e paqes botërore e të së mirës së përbashkët universale.
Sonte kardinali Martino theksoi në selinë e Parisit se “Dashuria për të afërmin është në zemrën e doktrinës shoqërore të Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.