2006-10-02 16:28:22

Që dje e gjatë gjithë muajit tetor, Kisha lutet për misionet.


(2.10.2006 RV)Kisha katolike kremton Muajin e Misionit, duke i kujtuar të pagëzuarve detyrën të bashkëpunojnë në misionin e saj universal. Nismat dhe fushatat kushtuar pranisë së Kishës në botë, do të arrijnë kulmin më 22 tetor me Ditën Misionare Botërore, e cila në disa vende do të kremtohet të dielën pas kësaj date. Sivjet – shkruan Agjensia Fides – kremtohet edhe 80-vjetori i themelimit të Ditës Botërore Misionare. E kjo na kujton 14 prillin e vitit 1926, kur Piu XI miratoi kërkesën e bërë nga Këshilli i lartë i përgjithshëm i Veprës Papnore për Përhapjen e Fesë i cili, i mbledhur në Asamblenë Plenare, i pati kërkuar Papës të caktonte një ditë kushtuar lutjes dhe propagandës për misionet, që të kremtohej në të njëjtën ditë në të gjitha dioqezat, famullitë dhe institucionet e botës katolike. Tetori u zgjodh si muaj misionar për kujtim të zbulimit të kontinentit amerikan, që hapi një faqe të re në historinë e ungjillëzimit. “Është ende e nevojshme edhe sot të bëhesh misionar, në gjirin e njerëzimit kaq të trazuar e të shqetë – pohon prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Ivan Dias – në mënyrë që ata, të cilët nuk kanë dëgjuar kurrë të flitet për Jezu Krishtin, të mund ta njohin e ata që e kanë mohuar me sjelljen e tyre, të mund të kthehen në rrugë të drejtë. Për kardinalin Dias, misioni që Jezu Krishti i ka besuar Kishës së tij, është më aktual se kurrë. Ndjeti misionar i propozuar nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI për këtë muaj – thekson kardinali Dias – na fton të lutemi që kremtimi i Ditës Botërore të nxisë kudo frymën e veprimtarisë e të bashkëpunimit.
Në mesazhin e tij për 80-vjetorin e Ditës Misionare Botërore, kardinali Ivan Dias i fton të gjithë të bëhen më të vetëdijshëm se, si të pagëzuar, janë të thirrur të kumtojnë kudo në botë ungjillin e Krishtit, Shëlbues e Shpërblyes. Sipas një shprehjeje të bukur të Koncilit II të Vatikanit, kjo ditë është rast i përshtashëm për ne të gjithë – shkruan kardinali Dias. Na kujton se jemi pjesëtarë të popullit të Zotit në mision çdo ditë të jetës, në çdo vend ku na çojnë ngjarjet e jetës sonë personale e të historisë, me të gjithë ata që Zoti na i dërgon si bashkudhëtarë në shtigjet e jetës. Kardinali, duke i porositur gjithë besimtarët të luten, kujton ç’ka shkruar Benedikti XVI në Encilklikën e tij të parë, “Zoti është dashuri” (n. 37) e pikërisht fjalët: “I krishteri që lutet, nuk pretendon t’i ndryshojë planet e Hyjit, ose të korrigjojë ç’ ka parashikuar Zoti. Ai kërkon takimin me Atin në Jezu Krishtitn, duke iu lutur që Ai të jetë i pranishëm, me ngushëllimin e Shpirtit të vet, në të e në veprimtarinë e tij”.










All the contents on this site are copyrighted ©.