Drama e përditshme e popullsisë irakiane në fjalët e Benediktit XVI gjatë Engjëllit
të Tënzot. Në muajin tetor, ftesa për të rizbuluar bukurinë e Rruzares dhe të impenjimit
misionar.
(2.10.2006 RV)Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi plot shqetësim
dramën që vijon të luhet në skenën e Irakut të martirizuar. Ndërsa para lutjes mariane,
i ftoi besimtarët të rizbulojnë, në muajin tetor, bukurinë e Rruzares dhe impenjimin
për misionet. Realitet tragjik i një vendi në luftë: Benedikti XVI është prekur
thellësisht nga biseda private që bëri pak ditë më parë me Patrikun e Babilonisë të
Kaldejve, Emanuelin III Deli, për situatën tragjike, të cilën është e detyruar ta
përballojë ditë për ditë popullsia në një vend si Iraku, ku të krishterë e myslimanë
jetojnë së bashku prej 14 shekujsh si bij të së njëjtës tokë. “Uroj që të mos
dobësohen ndërmjet tyre këto lidhje vëllazërie ndërsa, duke i siguruar për afërsinë
time shpirtërore, i ftoj të gjithë të bashkojnë zërin me mua për t’i lypur Zotit
të gjithëpushtetshëm dhuratën e paqes e të harmonisë për këtë vend të martirizuar”. Dje
ishte data 1 tetor e Papa kujtoi dy aspekte të veçanta, që lidhen me këtë muaj: Rruzaren
dhe Misionet. I kujtoi, sepse të shtunën bie Festa e Zojës Rruzare, rast – shpjegoi
Ati i Shenjtë – për të rizbuluar bukurinë e kësaj urate kaq të thjeshtë e njëkohësisht
kaq të thellë, që e donte aq shumë Gjon Pali II, “Apostulli i madh i Rruzares”, lutje
kundruese e kristocentrike, uratë e të krishterit që ecën përpara në shtegtimin e
fesë. “Dëshiroj t’ju ftoj, vëllezër të dashur, që gjatë këtij muaji ta thoni Rruzaren
në familje, ndër bashkësi e ndër famulli sipas ndjeteve të Papës, për misionin në
Kishë e për paqen në botë”. Në tetor, e pikërisht më 22 të muajit, do të kremtohet
edhe Dita Misionare Botërore. “Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj juve”
– u tha Jezusi i ngjallur nxënësve në Çenakull. Prej këndej mund të pohojmë se Kisha,
për vetë natyrën e saj, është misionare e se shpirti i misionit është dashuria – vërejti
Papa – duke e nxitur çdo të krishterë të jetë misionar i dashurisë atje ku e ka caktuar
Provania hyjnore. “Misioni i Kishës, vijim i atij të Krishtit, është: t’u çojë
të gjithëve dashurinë e Hyjit, duke e kumtuar me fjalë e me dëshmi konkrete bamirësie”. Më
pas, si kujtoi Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane dhe doktore e Kishës,
e cila u përkujtua dje, iu lut të na ndihmojë të gjithëve që të jemi dëshmitarë të
besueshëm të Ungjillt të dashurisë. Ndërmjet mijëra shtegtarëve, mbledhur dje
në Kastel Gandolfo, dallohej një grup drejtuesish të Lëvizjes së fokolarëve, ardhur
nga të pesë kontinentet për të ndjekur lujten e fundit të së dielës, kremtuar këtë
fundvere në Kastel Gandolfo nga Papa, i cili të mërkurën e ardhshme do të kthehet
në Vatikan. Para se t’i përshëndeste përzemërisht, Benedikti XVI foli për disa përkujtime
të rëndësishme e sidomos për Ditën botërore të vendbanimeve njerëzore, të njohura
me emrin habitat, fjalë që lidhet ngusht me ekologjinë: me florën, faunën e temperaturën.
Fjala ‘habitat’ vjen nga latinishtja. Do të thotë ‘ai banon’ e përdoret në biologi
dhe ekologji. Sivjet Dita botërore e vendbanimeve njerëzore, që u kremtua sot, iu
kushtua temës “Qytetet, magnete shprese”, duke e përqëndruar vëmendjen - nënvizoi
Papa - mbi njërin nga problemet më të rënda që duhet të përballojë njerëzimi në shekullin
XX: “mbi drejtimin e procesit të shpejtë të urbanizimit”. Prej këndej, urimi: “U
jap zemër atyre të cilët, në nivel lokal e ndërkombëtar, punojnë për njerëzit që banojnë
ndër rrethinat e degraduara dhe përpiqen që t’u sigurohen kushte të denja jetese,
t’u plotësohen nevojat e domosdoshme dhe t’u krijohet mundësia për të realizuar aspiratat,
posaçërisht në rrethin familjar, në kushtet e bashkëjetesës paqësore shoqërore”. Më
pas, një përshëndetje e veçantë pjesëmarrësve në “Festën e sportistit” organizuar
nga Konferenca ipeshkvnore e Lacios, në të cilën, ndërmjet tjerëve, morën pjesë edhe
1500 të rinj me kufizime fizike nga vende të ndryshme evropiane. Së fundi, një inkurajim
për institucionet dhe vullnetarët, të cilët punojnë për objektivin e Ditës që kremtohej
dje, kushtuar “shembjes së pengesave arkitektonike”.