2006-09-30 17:19:23

Shenjtorët e javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar:


(1.10.2006 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVI të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës, pajtore e misioneve.
Nesër, e hënë, do të kremtojë Festën e Ëngjëjve Rojtës që Zoti i dërgon për të mbrojtur çdo hap tonin në rrugën e jetës. Prania e Engjëllit Rojtës në jetën e njeriut, flet qartë për dinjitetin e tij të paprekshëm.
Të martën do të përkujtohet Shën Kandida martire. Liturgjia e festës së martires na kujton se Jezusi e nis udhëtimin e tij përfundimtar drejt Jeruzalemit që të japë jetën për shpëtimin e botës. Ndërsa nxënësit e tij mendojnë se ky është marshim ngadhënjimtar për marrjen e qytetit dhe duan të përdorin forcën për kapërcimin e pengesave. Jezusi ka arsye të plotë për t’i qortuar.
Shën Françesku i Asizit, themelues i Urdhërit françeskan, pajtor i Italisë, që do të përkujtohet të mërkurën e ardhshme, na kujton se Zoti është e vetmja e mirë e njeriut e se Jezusi na drejton ftesën: ‘Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë”. Shën Françesku e ndoqi Krishtin duke ecur nëpër këtë rrugë.
Pasi i nisi dymbëdhjetë apostujt, Jezusi dërgoi edhe 75 të tjerë, sepse të korrat ishin të begata. E kjo na kujton, të enjten e ardhshme, në festën liturgjike të Shën Plaçidit e Maurit, nxënës të Shën Benediktit; Shën Galës, vejushë romake dhe e Shën Marisë Faustina Kovalska, virgjër, se çdo besimtar duhet të përpiqet për ta shtrirë mbretërinë e Hyjit kudo.
Të premten e ardhshme Kisha do të përkujtojë Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve. Festa e tij na mëson se nuk është njëlloj ta pranosh ose të mos e pranosh Jezusin. Në se pranojmë se Krishti është jeta, mospranimi i tij ka si pasojë vdekjen. E Ai që nuk beson, duhet të kujtojë fjalët “Mjer ti!” të Jezusit kundër qyteteve kryengritëse.
Të shtunën do të kremtohet festa e Zojës Rruzare, e cila na frymëzon lutjen: “O Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë të ulur në shkollën tënde, të bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.