2006-09-29 16:49:09

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Bertone takohet me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.


(29.9.2006 RV) Në fjalimin e tij të parë drejtuar ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i nxiti diplomatët të punojnë që të respektohen kudo të drejtat themelore të njeriut.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, u takua sot paradite me ambasadorët e arkredituar pranë Selisë së Shenjtë për fillimin e mandatit të tij. Në fjalimin e rastit, kardinali uroi që të vijë dita, kur të gjitha vendet e botës të përfaqësohen pranë Selisë së Shenjtë, qëllimi i së cilës është pikërisht t’i mbështesë në jetën ndërkombëtare. E kjo, që në mbarë botën të promovohen vlerat e respektit e të dinjitetit të njeriut, ashtu si edhe vlerat e dialogut, të lirisë, të drejtësisë e të vëllazërisë. Deri më sot, vendet që kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë kanë arritur numrin 174. E këtyre u duhen shtuar Bashkësitë evropiane, Urdhëri Ushtarak i Maltës si dhe dy Misione me karakter të posaçëm: Misioni i Federatës Ruse, i mbajtur nga një ambasador dhe Zyra e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OLP), e udhëhequr nga një drejtor. Ndihmesa që Kisha mund t’i ofrojë bashkësisë ndërkombëtare – tha kardinali – është kontribut i një institucioni që vë në plan të parë vlerat më të larta të njeriut. Asnjë nga problemet e njeriut bashkëkohor nuk është i panjohur për Kishën - theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - dhe në vijim nënvizoi rëndësinë e rolit të diplomatëve, të cilët duhet të krijojnë frymën e solidaritetit ndërmjet popujve. Për kardinalin Bertone, duhet t’i kushtohet një vëmendje shumë më e madhe vendeve të varfëra, që askush të mos vdesë më nga uria ose nga sëmundjet endemike; që të mos ketë më viktima të pafajshme luftërash e konfliktesh, që njerëzit të mos keqtrajtohen për shkak të bindjeve ose të besojmës së tyre. Kemi nevojë për një impenjim universal në favor të më të braktisurve të Planetit – pohoi kardinali – të atyre që mezi mbajnë gjallë frymën e tyre e të familjes së tyre. Respektimi i pakushtëzuar i të gjitha qenieve njerëzore dhe i të drejtave të tyre themelore si dhe liria e ndërgjegjes dhe e fesë duhet të jenë shqetësimet e dorës së parë – shtoi Sekretari i Shtetit - dhe i nxiti diplomatët të jenë posaçërisht të vëmendshëm në mbrojtje të grave e të fëmijëve, viktima të dhunës. Kardinali Bertone pohoi më pas se jeta duhet mbrojtur që nga zënia e deri në përfundimin e saj të natyrshëm, e po kështu edhe familja e bazuar mbi martesën. Më pas theksoi edhe lidhjet e thella që ekzistojnë ndërmjet paqes, zhvillimit të popujve, lirisë, të drejtave të njeriut dhe solidaritetit ndërkombëtar, lidhje që kanë ofruar rrugë të reja për vendosjen e paqes së vërtetë, rrugë politike e diplomatike, të cilat konkretizohen përmes marrëveshjeve që parashikojnë e bllokojnë konfliktet. Së fundi Sekretari i Shtetit ripohoi se fushat në të cilat duhen bërë më shumë përpjekje, janë mbrojtja shoqërore, dënimi i luftës dhe çarmatimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.