2006-09-29 15:51:29

Fjalimi i Shkëlqesisë së Tij, zotit Rrok Logu, Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e paraqitjes së letrave kredeciale Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI në Kastel Gandolfo.


(29.9.2006 RV) Atë i Shenjtë,
me një ndjenjë të lartë përgjegjësie e nderimi të thellë, jam sot përpara Shejtërisë Suaj për të dorëzuar letrat kredenciale, me anën e të cilave Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Alfred Moisiu, me akrediton me cilësinë e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë pranë Selisë së Shenjtë.
Është përgjegjësi e lartë për mua të përfaqësoj pranë Selisë së Shenjtë vendin tim që, duke ruajtur karakteristikat e veta themelore, priret natyrshëm drejt integrimit me atë pjesë të kontinentit të vjetër, me të cilën e lidh historia e vet e lashtë, pavarësisht nga vuajtjet e gjata që po kjo histori i ka ngarkuar mbi shpatulla Shqipërisë.
Populli shqiptar, jo i madh në numër, trashëgon një nga gjuhët më të vjetra në Europë. Duke kujtuar me dhimbje periudhen pesëshekullore të pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, periudhë në të cilën lëvrimi i gjuhës sanë ishte i pamundur, sepse ishte shenjë e mbijetesës së kombit, kujtojmë me gëzim edhe faktin se në këtë periudhë historike liturgjia katolike u bë shenjtërorja e ruajtjes dhe e zhvillimit të fjalës shqipe. Fjalët e para të shqipes së shkruar që njohim deri më sot janë: Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit te Shenjtë. Ky thesar i madh që i la kombit tonë Arqipeshkvi i Durrësit, Imzot Palë Engjëlli rreth 550 vjet me parë, e nderon Kishën Katolike në Shqipëri dhe, duke zhvilluar misionin e saj të shërbimit shpirtëror në këtë gjuhë, kisha do ta meritojë vazhdimisht këtë nderim historik.
Atë i Shenjtë, me kënaqësi mund të shpreh mirënjohjen e thellë të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare jo vetëm për historinë e lavdishme të kishës katolike në Shqipëri, por edhe për angazhimin e saj aktual për promovimin e vlerave të larta shpirtërore, për zbutjen e varfërisë si edhe për promovimin dhe zhvillimin e vlerave intelektuale.
Në rrugën e tij të gjatë historike, populli im është përshkuar nga dallgë të mëdha vuajtjesh, që ka shkaktuar egoizmi njërëzor, në kryqëzimet kohore e hapsinore, në të cilat ai është gjendur. Por, më e fortë se fuqia shkatërruese e këtyre dallgëve, ka qenë dashuria e Hyut për Shqipërinë dhe Shqiptarët, që ka gjetur gjithmonë instrumentat e vet, që sot të kemi Shqipëri. Kanë qenë disa herë paraardhësit Tuaj, Atë i Shenjtë, të cilët kanë luajtur një rol përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë, në favor të aspiratave të popullit të saj dhe kjo është një ndër arsyet që populli im ka një nderim të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Shejtëri.
Hyu, dukë zgjedhur ndër shqiptarë gruan që Ju, Atë i Shenjtë, e keni quajtur simbolin e dashurisë njerëzore, na ka dhënë ne shqiptarëve një tjetër shenjë të dukshme se ai nuk na harron ne dashurinë e Tij.
Martirët tanë, e veçanarisht, klerikët katolikë të periudhës së tiranisë komuniste, mbeten një dëshmi e fuqishme e besnikërisë ndaj dashurisë së Zotit, shenjë e dashurisë për të vërtetën dhe e gatishmërisë për t'i shërbyer asaj deri me flijimin e vetvetes, gjë që dëshmon një pasuri shpirtërore të pamohueshme të popullit tonë.
Populli Shqiptar edhe pse jo me shumicë katolike, ka një nderim të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Atë i Shenjtë, sepse ai i lexon, i kupton dhe i nderon vlerat e mëdha që Ju mbroni dhe promovoni në botë. Një shenjë e besimit që ka populli shqiptar në marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë ishte edhe votimi i ligjit aplikativ në mbështetje të marrëveshjes për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë në vitin 2005, që gëzoi mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm, pa dallim përkatësie politike apo fetare.
Me miratimin e këtij ligji, që i njeh zotësin, juridike enteve të Kishës Katolike në Shqipëri, marrëveshja për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta bëhet plotsisht e vetëzbatushme, gjë të cilën po e tregon edhe pervoja e përditshme, e kjo e bën normale situatën juridike të funksionimit të Kishës Katolike.
Duke e konsideruar tani si një përvojë plotësimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve me Kishën Katolike, Shteti Shqiptar po punon intensivisht dhe seriozisht per të kompletuar marrëdhëniet juridike edhe me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri. Gjithashtu, qeveria aktuale e Shqipërisë është e angazhuar fuqimisht për zgjidhjen më të shpejtë e përfundimtare të një problemi shumë të rëndësishëm, si për Kishën Katolike, ashtu dhe për komunitetet e tjera fetare tradicionale, Komuniteti Musliman Shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Komuniteti Bektashian i Shqipërisë, që është ai i kthimit dhe kompensimit të pronave të konfiskuara nga regjimi komunist.
Në historinë e tij të gjatë, vendi im, (pa dashjen e shqiptarve) është bërë pjesë e sistemeve politico-shoqërore të mëdha, gjë e cila ka lënë gjurmët e veta te dukshme. Sot populli shqiptar, dëshiron të bashkojë sistemin e vet politico-shoqëror me një sistem të madh, atë të Bashkimit Europian. Kjo dëshirë nuk shpreh vetëm prirjen për një jetë ekonomike më të mirë, por diçka më shumë e më të rëndësishme, prirjen e natyrshme drejt vlerave te demokracisë evropiane. Sa më të shpejtë të jenë hapat drejt realizimit të kësaj dëshire, aq më i shpejtë do të jetë edhe tejkalimi i dramës së familjeve tona të ndara për shkak të emigracionit dhe aq më energjike, do të jetë shoqëria shqiptare në gjirin e shoqërisë europiane.
Në këtë aspiratë të madhe historike populli im sheh te Selia e Shenjtë përkrahësin e vet të madh, sepse këtu si askund tjetër flitet e kuptohet sipas gjuhës së dashurisë. Nënë Tereza, bijë e gjakut tonë, ka thënë "... populli shqiptar ka nevojë për shumë dashuri".
I përballur me vështirësitë jo të vogla, që dalin në procesin e reformave të mëdha e të gjithanshme për integrimin në Europë, vështirësi që vijnë nga mbartje të trashëguara, vendit tim i duhet të përballet dhe me një vështirësi të madhe, atë të efekteve të një imazhi negativ, ireal e të padrejtë, që është përçuar nganjëherë në qarqet ndërkombëtare. Në këto rrethana nuk mund të mos gjejmë mbështetje dhe mirënjohje në thënien tuaj: "Liria e opinionit ndeshet me këtë kufi: ajo nuk mund të shkatërrojë nderin dhe dinjitetin e tjetrit, nuk është liri për të gënjyer e për të fshirë të drejtat njerëzore." [La liberta di opinione trova pero il suo limite in questo:che non puo distruggere l'onore e la dignita dell altro,non e liberta di mentire e di cancellare i diritti umani"(Sensa Radici,fq 70).]
Atë i Shenjtë, populli shqiptar, me një përbërje multifetare, karakterizohet nga një bashkëjetesë shembullore. Këtë cilësi, që vjen si traditë e pandërprerë, ai e ruan si një gjë të çmuar.
Sot, Shqipëria në sajë të politikave rajonale që ndjek, është hërë faktor i rëndësishëm paqeje në rajonin tonë. Shteti Shqiptar është i angazhuar fuqimisht që këtë rot në Ballkan ta çojë edhe më përpara si në marrdhëniet ndërshtëtërore, ashtu dhe në luftën pa kompromis të dukurive të krimit të organizuar e të terrorizmit.
Atë i Shenjtë, duke Ju siguruar se do të vë të gjitha forcat e mia në shërbim të detyrës së lartë që më është ngarkuar, shpreh besimin e plotë se do t'i ndjejmë mbështetjen e lutjeve dhe të ndihmës Suaj, për të mirën e popullit shqiptar.
Duke Ju uruar paqe, jetë e shëndet, për të mirën e njerëzimit mbarë, Ju lutem, Shejtëri, pranoni letrat kredenciale qe po Ju paraqes dhe nderimet më të thella të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Rrok LOGU







All the contents on this site are copyrighted ©.