2006-09-29 17:03:29

Duke shfletuar kalendarin e 29 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi tre Kryeengjujt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin.


(29.9.2003 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi tre Kryeengjujt: Mikelin (ai që ndihmon), Gabrielin (ai që mbron) e Rafaelin (ai që shëron) për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve. Kulti i kryeengjëllit Mikel fillon që në shekujt e parë të historisë së krishterimit. Perandori Kostandin ngriti për nder të tij një shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën Evropiane, ndërsa Justiniani - një shenjtërore tjetër në bregun e përtejmë.
Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në përendimim. Në Romë iu kushtua mauzoleu i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.
Me njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe radioja jonë e përgjithësisht, puna jonë si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit, duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon, natyrisht, është Pajtori ynë dhe i të gjithë atyre që impenjohen në fushën aq të rëndësishme të komunikimit. Prandaj Radio-Vatikani sot ishte në festë. Punonjësit e emitentes u mblodhën në Kapelën radifonike kushtuar pikërisht “Lajmërimit të Zojës”, ku ndoqën Meshën Shenjte, kryesuar nga kardinali Sergjo Sebastiani, Kryetar i Prefekturës të Selisë së Shenjtë për Çështjet Ekonomike, me të cilin bashkëkremtuan kardinali Roberto Tuçi dhe Drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi. Më pas familja e Radio Vatikanit kaloi disa çaste të këndshme në festën e organizuar me këtë rast, gjatë së cilës u dekoruan disa nga kolegët e pararojës.
Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë shumë të përhapur në Shqipëri, madje Shën Mikeli, i njohur si Shën Mhilli, është pajtor i disa fshatrave të Veriut RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.