2006-09-28 16:35:37

Vëllazëri e mikpritje e anasjelltë në punimet e komisionit të përbërë për dialogun teologjik ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, që rifilloi pas gjashtë vjetësh me temën e bashkimit. Intervistë me kardinalin Valter Kasper.


(28.9.2006 RV)Të hënën e kaluar, në një atmosferë mikpritjeje e mirëkuptimi reciprok, në Beograd përfunduan punimet e Sesionit IX plenar të komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike dhe Kishës ortodokse. Tema: “Teologia e bashkimit”. Delegacionin katolik e kryesoi kardinali Valter Kasper, kryetar i Këshilit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. E pyetëm për temën e diskutimeve dhe për hapat para që u bënë në dialogun me ortodoksët:
Përgjigje: - Një hap para mund të konsiderohet vetë mbledhja e Komisionit, pas një ndërprerjeje prej gjashtë vjetësh. Ishin të pranishme të gjitha Kishat ortodokse. Punimet u zhvilluan në një atmosferë miqësore, pozitive e ndërtimtare. Tema kishte në qëndër të vëmendjes Kishën në këndvështrimin e bashkimit. E lamë mënjanë temën e uniatizmit, që na ka bllokuar për 10 vjet me radhë, për të përballuar temën e Kishës si bashkim, duke pasur parasysh se themelet janë hedhur që në fazat e para të dialogut. Konferenca e Moskës, e përbërë nga 90 anëtarë, përgatiti një dokument mbi lidhjet ndërmjet karakterit konciliar dhe autoritetit në nivel lokal, zonal e së fundi, universal. Mendoj se gjetëm shumë pika takimi, ndonëse nuk mungojnë edhe vështirësitë, të cilat njihen prej kohe. Por duke pasur parasysh se diskutuam në një atmosferë të qetë e pozitive, kemi shpresë se mund të ecim përpara.
Pyetje: - Diçka më shumë, Hirësi, pikërisht për rrethanat në të cilat u zhvillua takimi…
Përgjigje: - Ftesa ishte e Kishës ortodokse e ne gjetëm një atmosferë miqësore që nuk e prisnim e që na çuditi. Kishin bërë ç’është e mundur për ta përgatitur sa më mirë këtë takim. Gjithë këto rrethana ishin tepër pozitive. Kremtuam Liturgjinë ortodokse, në të cilën ishim të pranishëm edhe ne, e edhe një Lirturgji katolike, në cilën morën pjesë edhe ata. Vizituam së bashku një manastir. Gjithçka shkoi më së miri. U pritëm edhe nga presidenti i Republikës së Serbisë si dhe nga kryeministri. Punimet filluan në Kapelën private të Patrikut Pavle, që na përshëndeti dhe na premtoi se do të jemi gjithnjë të pranishëm në lutjet e tija. Gjithçka fliste për një atmosferë vërtetë të kënaqshme.
Pyetje: - Hirësi, me ç’sy i shikon Kisha katolike kontrastet me Patriarkanën e Moskës dhe Patriarkanën ekumenike të Kostandinopojës? Ç’mund të na thoni për këtë argument?
Përgjigje: - Ka rëndësi të ripohohet se Sesioni plenar i komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike dhe Kishës ortodokse në tërësi u zhvillua në atmosferë vëllazërore, pozitive e ndërtimtare. Për këtë arsye u habitëm edhe më shumë nga protesta publike e përfaqësuesit të peshkopit të Vjenës e të Austrisë, Hilarion, përmes Agjensisë së shtypit Interfax lidhur me një çështje procedure. Të habit në mënyrë të veçantë fakti se përfaqësuesi ortodoks rus preku një pikë të diskutimit, që hap shumë probleme me rëndësi të madhe dhe krijon jo pak vështirësi për dialogun. Çështja që preku peshkopi Hilarion lidhet me mënyrën e kuptimit të rendit tradicional (taxis) ndërmjet Kishave ortodokse, sipas të cilit Selia e Kostandinopojës gëzon një pari nderi ndërmjet tyre. Çështja është ndërortodokse e nuk përbën argument diskutimi ndërmjet katolikëve e ortodoksëve. Pala katolike deklaroi shprehimisht se nuk kishte dëshirë të ndërhynte në këtë çështje të brëndshme. Në të vërtetë komisioni nuk mund të merrte asnjë vendim lidhur me këtë çështje. Prandaj për të u diskutua thjeshtë në këndvështrim procedural dhe u theksua vetëm si mund të gjindet rruga për ta kapërcyer këtë pengesë. Ky qëndrim iu shpjegua shprehimisht delegacionit ortodoks rus, gjë që e bën edhe më të vështirë për t’u kuptuar protestën publike. Komisioni vendosi të mblidhemi përsëri vitin e ardhshëm për të vijuar dialogun. Urojmë që ndërkaq të zgjidhen problemet që ekzistojnë në nivel ortodoks. Në se çështja do të mbetet e hapur, do të krijojë vështirësi të vazhdueshme për dialogun ndërkombëtar katolik-ortodoks.
Pyetje: - Pra mund të flasim për etapa të ardhshme të dialogut katolik-ortodoks?
Përgjigje: - Po, kemi vendosur që sesioni i ardhshëm të mbahet në tetor 2006. Kësaj radhe ftesa për t’u mbledhur në Itali (se ku nuk është vendosur akoma), është e Kishës katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.