2006-09-28 17:55:20

Krahu i djathtë i R. Karaxhiqit, Momçilo Krajishnik dënohet më 27 vjet burgim nga Haga


(28.9.06. RV) 27 vjet burgim për krime kundër njerëzimit. Ky është dënimi që gjyqi ndërkombëtar i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, i dha Momçilo Krajishnikut, krahut të djathtë të Radovan Karaxhiqit. Gjykata sidoqoftë njohu pafajsinë e të pandehurit për akuzën e gjenocidit. Ish-kryetar i parlamentit të serbëve të Bosnjës gjatë luftës civile në ish-Jugosllavi, Krajishniku u arrestua në vitin 2000 dhe fillimisht u deklarua i pafajshëm.

Nuk ka të ndalur vala e dhunës në Irak. Në Bagdad një varg atentatesh shkaktoi rreth dhjetë viktima, civilë dhe policë. Ndërkaq gjatë 24 orëve të fundit në lagje të ndryshme të kryeqytetit u gjetën 40 kufoma me shenja të dukshme torturash.

Përfshirja më e gjerë e Pakistanit dhe Afganistanit në luftën kundra terrorizmit si edhe paqëtimi ndërmjet presidentit pakistanas Musharraf me atë afgan Karzai ishin synimi i takimit të djeshëm në Uashington organizuar nga presidenti amerikan Xhorxh Bush. Kohët e fundit Afganistani akuzoi Pakistanin se mbron dhe edukon terroristët islamikë dhe kërkoi mbylljen e shkollave kuranike.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert do të takohet me presidentin palestinez Abu Mazen. Lajmi u dha nga vetë kryeministri Olmert gjatë një interviste për radion kombëtare. Kryeministri përsëriti gjithashtu se Tel-Avivi nuk ka aspak ndërmend të lirojë të burgosurit palestinezë nëse më parë nuk lirohet rreshteri izraelit, marrë peng nga Hamasi. Ndërsa duke folur për Sirinë, Olmert mohoi çdo formë mundësi bisedimimesh me këtë vend, të cilin e cilësoi si “mbështetjen kryesore të organizatave terroriste palestineze”.

“Janë bërë përparime”. Kjo ishte deklarata e përfaqësuesit të lartë të BE-ian për politikën e jashtme Javier Solana, pas takimit në Berlin me kryenogociatorin iranian Ali Larixhani për pezullimin e pasurimit të uraniumit. Solana njoftoi gjithashtu se javëne ardhshme do të ketë gjithashtu edhe një takim tjetër diplomatik me palën iraniane.

Vazhdojnë përleshjet në provincat jugore të Tajlandës, me shumicë myslimane. Gjatë orëve të fundit u vranë dy vetë. Përgjegjës për sulmet janë rebelët separatistë myslimanë, të cilët prej më shumë se dhjetë vjetësh janë në ndeshje të përhershme me autoritetet e Bangkokut. Vetëm dje u vranë katër budistë.

Të dielën e ardhshme në Brazil do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Kandidatët kryesorë janë Lula, presidenti i tanishëm dhe rivali i tij më i mundshëm Gjeraldu Alkmin, i partisë socialdemokrate. Sipas sondazheve ka gjasa që ky i fundit të jetë edhe fituesi.







All the contents on this site are copyrighted ©.