2006-09-28 16:29:21

Kisha është në anën e njeriut.” Këtë pohoi Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadorit të ri gjerman pranë Selisë së Shenjtë, Hans Hening Horstman, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale në Kastel Gandolfo.


(28.9.2006 RV) Fjalët e Benediktit XVI drejtuar ambasadorit gjerman: mbroni jetën, aborti nuk mund të përligjet, jepni strehim të krishterëve të persekutuar.Kisha nuk detyron askënd t’i besojë Ungjillit, por respekton me frymë tolerance çdo njeri, kulturë e besojmë. Këtë pohoi sot Papa Benedikti XVI duke pritur në audiencë në Vatikan, ambasadorin e ri gjerman pranë Selisë së Shenjtë, Hans Hening Horstman, për paraqitjen e letrave kredenciale.
“Atje ku ka bashkim e ku njerëzit përforcohen në mirësi në saje mesazhit të fesë- tha Ati i Shenjtë- forcohet edhe bashkëjetesa njerëzore në shoqëri, gjë që u jep zemër qytetarëve ta kuptojnë përgjegjësinë që ka secili për të mirën e përbashkët. Kisha nuk imponohet – vijoi Papa – nuk detyron njeri ta pranojë mesazhin e Ungjillit. Prandaj takimi me të tjerët duhet të karakterizohet nga toleranca dhe mirëkuptimi kulturor. Por – vërejti Ati i Shenjtë – toleranca nuk duhet të ngatërrohet me indiferencën, që është e kundërta e interesimit të thellë kristian për njeriun dhe për të mirën e tij. Toleranca e vërtetë ka gjithnjë parasysh respektimin e njeriut, krijuar nga Hyji, i cili e do jetën e çdo njeriu.
E pikërisht lidhur me dinjitetin e njeriut, Benedikti XVI rikujtoi disa nga shtyllat e moralit të krishterë, posaçërisht mbrojtjen e martesës e të familjes, sot të kërcënuara nga ndryshimi i konceptimit të bashkimit bashkëshortor dhe mbrojtjen e jetës në fazat e para, që rrezikohet nga aborti e sidomos nga mbytja e embrioneve me handikap. Aborti – theksoi Ati i Shenjtë – nuk mund të përligjet për asnjë arsye, duke pasur parasysh se Zoti e do çdo jetë.
Nga mbrojtja e jetës, Papa kaloi tek mbrojtja e refugjatëve, posaçërisht atyre që kërkojnë strehim politik për arsye të persekutimeve politike ose fetare. Ati i Shenjtë u bëri thirrje autoriteteve gjermane të mos i riatdhesojnë këta njerëz, por ta lehtësojnë integrimin e tyre në Gjermani, vend që – nënvizoi Papa – i ka portat e hapura për botën.
Së fundi Benedikti XVI kujtoi traditën kulturore gjermane, që për edukimin e të rinjve parashikon edhe mësimin e fesë përmes të cilit – theksoi Benedikti XVI - duhet t’i jepen rinisë njohuri për traditat e mëdha që kanë formuar historinë e kulturën evropiane e që vijonë ta frymëzojnë.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.