2006-09-27 17:23:31

Papa Benedikti XVI e përkufizoi figurën e Tomës apostull „shembullor në përcaktimin e ndjekjes së Jezusit. Prej tij mësojmë se secili prej nesh mund t’i kërkojë shpjegime Jezusit.


(27.9.06 RV) Në Ditën botërore të turizmit, Benedikti XVI uroi që të jetë një portë e hapur për paqen dhe bashkëjetesën e harmonishme. Në audiencën e përgjithshme solli shembullin e Tomës Apostull, dyshimet e të cilit na ngushëllojnë kur ndjehemi të pasigurt.
Turizmi është fenomen shoqëror me rëndësi të madhe në botën bashkëkohore. Kështu, pas mesazhit të djeshëm, Papa foli përsëri për Ditën botërore të turizmit në përfundim të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit përballë mijëra besimtarëve e turistëve.
Rast takimi e shkëmbimi ndërmjet popujve e njerëzve, turizmi nuk është thjeshtë kohë pushimi, pa asnjë qëllim tjetër. Benedikti XVI në përshëndetjen drejtuar 30 mijë shtegtarëve nga mbarë bota, mbledhur rreth Tij në një ditë të ndritur nga rrezet e diellit të vaktë të shtatorit, u ndalua tek tema e turizmit i cili, në kohët e rritjes së vazhdueshme të globalizimit, merr një rëndësi të veçantë jo vetëm në planin shoqëroro-ekonomik, por edhe në atë etik:
“Uroj – tha Ati i Shenjtë – që turizmi të promovojë gjithnjë më shumë dialogun dhe respektin e anasjelltë ndërmjet kulturave, duke u bërë kështu një portë e hapur për paqen dhe bashkëjetesën e harmonishme”.
Duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar apostujve, Papa foli sot për Shën Tomën dhe uroi që të na e ushqejë fenë, të na e forcojë shpresën e të na e ndezë dashurinë, ai që, në sa Jezusi nisej për në Betani për të ngjallur Lazrin, shprehu vendosmërinë ta ndiqte Mësuesin deri në fund, edhe në se do t’i duhej të vdiste bashkë me të. Pastaj kujtoi se në Darkën e mbrame, Toma i kërkon Jezusit shpjegime, duke shprehur kështu aftësinë tonë të paktë për të kuptuar, por njëkohësisht edhe besimin e njeriut, i cili pret dritë e forcë nga ai që është në gjendje ta japë. E akoma: Toma është ai që nuk e besoi menjëherë Ngjalljen e Krishtit, për të shprehur më pas besojmën më të ndritur të fesë, që gjindet në Besëlidhjen e Re, duke brohoritur: “Zoti im e Hyji im!”. Toma – shpjegoi Papa duke cituar Shën Agostinin – shikonte e prekte njeriun, por dëshmonte besimin e vet në Hyjin, të cilin nuk e shikonte e as nuk e prekte”. Prej këndej rëndësia e figurës së Apostullit për të gjithë neve. Ai ka rëndësi:
“Së pari, sepse na ngushëllon kur ndjehemi të pasigurtë; së dyti, sepse tregon që dyshimi mund të çojë në përfundime të shkëlqyera, që shlyejnë çdo pasiguri e, së fundi, sepse fjalët që ai i drejton Jezusit na kujtojnë kuptimin e vërtetë të fesë që ka fituar pjekurinë e na inkurajojnë të vijojmë, pavarësisht nga vështirësitë, në rrugën tonë të bashkimit me Zotin”.
Benedikti XVI kujtoi edhe se në emër të Tomës u shkruan Veprat dhe Ungjilli i Shën Tomës, që të dyja apokrife, por gjithsesi të rëndësishme për studimin e zanafillës së krishtërimit. Më pas Papa shpjegoi se, sipas një tradite të lashtë, Toma ungjillëzoi më parë Sirinë e pastaj Persinë, duke u shtyrë në shtegtimin e tij ungjillëzues, deri në Indi. Në këtë perspektivë misionare, Benedikti XVI uroi që Shën Toma ta kalitë gjithnjë më shumë fenë tonë.
Para se të përshëndetej me shtegtarët, duke iu drejtuar të rinjve, të sëmurëve e të sapomartuarve – Ati i Shenjtë kujtoi shembullin e bamirësisë së Shën Vinçencit të Paolit, që u përkujtua sot nga Kisha katolike.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.