2006-09-27 17:31:41

Duke shfletuar kalendarin e 27 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Vinçencin e Paolit.


(27.9.2006 RV)Do të na duhej një kohë e gjatë vetëm për të lexuar listën e veprave bamirëse që themeloi gjatë jetës së Tij, Imzot Vinçenci, siç e thërrisnin besimtarët. Nuk është e lehtë, prandaj, të flasësh për klerikun francez, lindur në Pui të Gaskonjës (Francë) më 24 prill 1581, shuguruar meshtar në moshën 19 vjeçare. Menjëherë pas shugurimit, u burgos nga muhamedanët, të cilët e mbajtën në burg për dy vjet me radhë. Kur u lirua, kishte arritur ta kthejë në fenë e Krishtit njeriun që e ruante. Djaloshi, i cili në vendlindje, në Pui, pati ruajtur derrat, u ngjit shumë shpejt në shkallët më të larta të shoqërisë. I sapodalë nga burgu, u nis për në Paris, ku u caktua kapelan i mbretëreshës Margerita e Valuasë. Njohu, këtu, së afërmi, kardinalin Rishelië, Mbretërshën regjente Anën e Austrisë dhe Lugjin XIII, që e deshi pranë në shtratin e vdekjes.
Guxoi t’i fliste ballë për ballë e me zë të lartë për mjerimin e popullit kardinalit Rishelië, të cilin e kishin frikë të gjithë. “Imzot - i tha – kini mëshirë për ne. Na e jepni paqen!”. Më pas, në ditët e errta të Frondës, kur Parisi ngriti barrikada e kardinali Maxarino deshi të përdorte armën e urisë për të mposhtur rebelimin, Vinçenci organizoi një mensë, në të cilën çdo ditë shuanin urinë më se 2000 vetë. Pastaj i hipi kalit e vrapoi në Shën Zhermen për t’i thënë Maxarinit: “Imzot, largohuni, flijojeni veten për të mirën e Francës!”
Njeri praktik, i pamposhtur, i thjeshtë si fshatar, i pajisur me humor të hollë e sidomos me aftësi për të realizuar vepra të mëdha, u thoshte meshtarëve të Shën Lazrit: “Ta duam Zotin, vëllezërit e mi, por ta duam me shpenzimet tona, me mundin e krahëve tonë, me djersën e ballit tonë”.
Duke e ditur mirë se të varfërit vuajnë më tepër për shkak të mungesës së rregullit në organizimin e bamirësisë, sesa për shkak të paaftësisë së njerëzve bamirës, siguroi nga Mbretëresha vendin e Ministrit të Bamirësisë dhe organizoi ndihmat për të varfërit në shkallë kombëtare. Thuhet se nëpër duart e tij kalonin çdo ditë më shumë para sesa në duart e ministrit të financave. Por në bankën e tij të bamirësisë kapitalet nuk shterronin kurrë.
Katër janë institutet kryesore të themeluara prej shenjtit: “Bashkvëllazëria e Zonjave të Bamirësisë”, “Shërbëtorët e të varfërve”, “Bashkëvëllazëria e Priftërinjve të Misionit (ose lazaristët, të cilëve u besoi misionin e dyfishtë të jepnin ndihmesën për përgatitjen e meshtarëve të ardhshëm dhe për organizimin e predikimeve të përshtatshme për fshatarët) dhe “Bijat e bamirësisë”.
Vdiq në Paris më 27 shtator 1660; u shpall shenjt më 1737.








All the contents on this site are copyrighted ©.