2006-09-26 18:40:00

Shtohen sulmet e talebanëve afganë


(26.9.06. RV) Në Afganistan terroristët godasin përsëri. Sot një kamikaze u hodh në erë në afërsi të një postoblloku, në jug të vendit,duke vrarë 18 persona. Disa prej viktimave ishin shtegtarë myslimanë, që ishin drejtuar në Mekë, në Arabi Saudite.
Gjatë dy muajve të fundit sulmet e talebanëve janë shtuar së tepërmi. Dje u vra kryetarja për “Çështjet e gruas” e provincës së Kandaharit, ndërsa sot u vra edhe një ushtar italian. Po, cilët janë talebanët e sotshëm në Afganistan? Këtë pyetje ia drejtuam Fulvio Skaljones, zëvendësdrejtor i revistës “Famiglia Cristiana”:
 
Përgjigje: Përshtypja ime është se pas këtyre atentateve nuk fshihen më përfaqësuesit e një lëvizjeje me karakteristikat që kishte regjimi i talebanëve, para 2001-shit, por një front i përbërë nga kriminaliteti i organizuar, nga ekstremizmi fetar, natyrisht, nga ambicje politike, nga mercenarë të zotërinjëve të luftës, që janë të interesuar për pasigurinë në vend. Dhe kjo për arsye se stabiliteti që sjell qeveria qendrore do të thotë kufizim i interesave të tyre. Por do të doja të vija në dukje se provinca më e goditur nga këto sulme është ajo e Helmandit, ku kultivimi i lulëkuqes për opium është më intensiv dhe më i dendur.

Pyetje: Rihapja e frontit afgan a mund të shërbejë në lojën e shahut që zhvillon guerrilja në Lindje të mesme?

Përgjigje: Praktikisht sulmet e njëpasnjëshme, në fillim në Afganistan dhe pastaj në Irak, do të duhej të hynin në librat e historisë si një rast shembullor i një dështimi strategjik. Dhe kjo sepse çështja e Afganistanit nuk ishte mbyllur ende, kur tepër shpejt u mendua se ishte në rrugë të mbarë, dhe për arsye politike, u fillua lufta në Irak,e cila mori trupat, mjetet, vëmendjen dhe përqendrimin nga Afganistani. Përfundimi është ky: sot pas pesë vjetësh jemi në gjysmë të vaut, andej e këndej, dhe ka shumë gjasa që synimi të mos arrihet, as andej, as këndej.







All the contents on this site are copyrighted ©.