2006-09-26 18:02:14

Pozitive reagimet e botës islamike për takimin e Papës me ambasadorët myslimanë: koment i Jonis Toufik.


RealAudioMP3 (26.9.2006 RV)Pozitive reagimet e botës Islamike për takimin e përzemërt të Papës me ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane, që u mbajt dje në Kastel Gandolfo, gjatë të cilit Benedikti XVI pohoi se dialogu me Islamin është jetik për të ardhmen e botës, duke ripohuar edhe nderimin e tij të thellë për myslimanët, nevojën për liri fetare e ndërsjellshmëri. Shumë nga përfaqësuesit islamikë folën për kthesë në dialogun me Kishën. Për këtë flet edhe poeti e shkrimtari irakian Jonis Toufik.
Jonis Toufik ka lindur në Mosul, Niniva e lashtë, në Irak. Që kur ishte i ri nisi të botojë poezi në shtëpitë botuese më të njohura të vendit të vet, duke fituar më 1978 “Çmimin e poezisë”.
Që nga viti 1979 jeton në Torino. Është diplomuar në letërsi e vijon të punojë si gazetar, konferencier e mësues i gjuhës dhe kulturës arabe, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë punës për ta bërë të njohur në botë. Është kryetar i qëndrës kulturore italo-arabe ‘Dar al Hikma’ të Torinos. Me romanin “E huaja”, ka fituar Çmimin ‘Ostia, Çmimin Komisso dhe Grinzane Cavour 2000.
E gjatë është lista e veprave që ka botuar, disa nga të cilat tashmë janë bërë të njohura në të gjithë botën. Kujtojmë: veprat ‘Refugjati’; ‘Islami: nga kalifët tek integralizmi; ‘Iraku i Sadamit’; ‘Qyteti i Iramit’; ‘E huaja’, ‘Në duart e hënës’; ‘Guri i zi, hyrje në qytetërimin islamik’; ‘Kurs i arabishtes moderne’ etj.
Po kujtojmë këtu vetëm dy fragmente të shkurtra nga krijimtaria e tij. I pari, nga ‘Iraku i Sadamit’. Shkruan poeti:
“Ne fati na ngarkoi mbi shpinë
rreziqe mbi rreziqe.
S’e gëzoi i mjeri Atdhé
kurrnjë çast paqeje.
Mbi të pështyn hija e djallit
e reshet zemrimi i Zotit;
Në mes të dimrit
vdekja e viziton
e porsi llavë i vlon nëpër dej!

Ndërsa tek “E huaja” lexojmë këtë dialog, që na kujton gjendjen shpirtërore të qindra mijëra mërgimtarëve nëpër botë:
- A je ndonjë herë plotësisht i lumtur?
- Një i huaj në dhé të huaj nuk mund të jetë kurrë plotësisht i lumtur!
- A nuk e ndjen veten ndonjëherë si në shtëpinë tënde?
“Po, kur jam i dashuruar”.
Përgjigje pa cak, që na kujton se dashuria e mund urrejtjen në të gjitha format e në të gjitha kuptimet e saj.
Por të kthehemi tek audienca e djeshme. Ja si shprehet Jonis Toufik për fjalimin e Papës Benedikti XVI në Kastel Gandolfo:
Përgjigje: - Është një fjalim emocionues e prekës, sepse nuk merret fare me polemikën e ditëve të kaluara, por është krejt i ri, si të donte të ndërronte faqen, duke të krijuar përshtypjen e vijimit të ecjes së Kishës, të Vatikanit, në rrugën e dialogut e të ballafaqimit. Papa ripohoi nderimin dhe respektin e tij për Islamin, për myslimanët, prandaj mund të them se na dha një mësim të madh tolerance, posaçërisht kur na përshëndeti një për një, u ndalua mjaft, duke u interesuar për secilin e duke na falënderuar që kishim ardhur në takimin me e të.

Pyetje: - Benedikti XVI shprehu bindjen e plotë se në situatën në të cilën ndodhet bota e sotme, është imperativ për të krishterët dhe myslimanët të impenjohen për të përballuar së bashku sfidat e shumta të njerëzimit….
 
Përgjigje: - Ky fjalim i shkurtër për mua ishte një leksion mjeshtri, për të na bërë ta kuptojmë rëndësinë e dialogut dhe të ballafaqimit posaçërisht në këtë çast, kur shumë njerëz përpiqen të nxitin urrejtjen dhe konfliktin për interesat e tyre ose për arsye të tjera. Ndërsa Papa foli pikërisht për ta shmangur këtë ndeshje, duke i ftuar të gjithë të reflektojnë për rëndësinë e paqes dhe të vlerave të njerëzimit e duke theksuar se fetë tona na bashkojnë, sepse besojmë në një Zot, në Zotin e vetëm të Abrahamit, që është Zot i paqes e i dashurisë.

Pyetje: - Si reaguan ambasadorët e pranishëm në këtë takim kaq të rëndësishëm?

Përgjigje: - Them, me dy fjalë, se e pritën me një duartrokitje të fortë e pastaj bëmë edhe një fotografi në grup. U ndje shumë përzemërsi e mund të them se të gjithë e përballuam shumë qetësisht këtë takim me Shenjtërinë e Tij. Për mua qe një çast pajtimi e reflektimi. Unë, në të vërtetë, i thashë faleminderit që e ka kuptuar rëndësinë e mendimit të Averroes; na ndihmoftë të ecim drejt paqes e dialogut.







All the contents on this site are copyrighted ©.