Duke shfletuar kalendarin e 25 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Aurelien.
.(25.9.2006 RV)Sipas gojëdhënës që lexohet më 25 shtator në oficen e Shenjtes,
motrat Aurelia e Neomisia kishin lindur në Azinë e Vogël, ku i qenë kushtuar që në
fëmijëri jetës së përshpirtshme. Si u rritën, për të thelluar devocionin e tyre, vizituan
viset e shenjta të Palestinës. Më pas shtegtuan ndër shenjtëroret më të njohura të
Perëndimit. Vizituan, kështu, edhe Romën. E si e kishin kryer shtegtimin, u nisën
për t’u kthyer nëpër rrugën Latine, ku u ndeshën me agarenët të cilët, pasi kishin
shkretuar Kalabrinë e Lukaninë, ishin dyndur në Kapua. Vajzat u kapën e u rrahen mizorisht
me zinxhirë, derisa nuk dhanë më asnjë shenjë jete. Por ndërkaq nisi një shtrëngatë
aq e tmerrshme, sa persekutorët e tyre u shpërndanë, pa pyetur më për to. Motrat,
që nuk kishin vdekur, vijuan rrugën. Si arritën në Ananji, vendosën të banojnë
në një lagje të varfër, të quajtur Macerata, rrëzë një kodre e këtu, pasi kaluan gjithë
jetën në lutje e pendesë, i mbyllën sytë në paqe më 25 shtator. Trupat e tyre, të
nderuar nga banorët e vendit, së pari u varrosën në uratoren e lagjes. Me rastin e
vizitës së Papës Leoni IX në Ananji, u mbartën në manastirin e Shën Reparatës, pranë
mureve të qytetit. Që aty i mbarti sërisht ipeshkvi Romualdo. Tani reliket e dy motrave
shenjte pushojnë në kriptën e katedrales së Shën Manjos, pranë relikeve të Shën Sekondinës,
nën elterin që u është kushtuar. Motrat shenjtore i gjemë vazhdimisht ndër afresket
e shekullit XIII, në kriptën e katedrales, në lterin e madh e në kamaren e pikturuar
nga Gjakomo de Guerra në vitin 1324, ku dy motrat paraqiten pranë ipeshkvit Pjetër.
Pjesa më e madhe e relikeve të Aurelies dhe Neomisisë ruhen në dy urna realizuar
me porosinë e imzot Antonio Sardit në vitin 1903 dhe ekspozohen në elterin e madh
të katedrales ditën e festës së tyre, më 25 shtator.