2006-09-25 19:20:57

Britanikët vrasin një nga drejtuesit e Al Kaedës në Irak


(25.9.2006 RV)Trupat britanike vranë një përfaqësues të lartë të Al Kaedës gjatë një sulmi në Basorë, në Irak. Bëhet fjalë për Omar Farukun, një nga zëvendësit kryesorë të Bin Ladenit në vend. Terroristi ishte kapur në Indonezi në 2002, por vitin e shkuar kishte mundur të arratisej nga burgu amerikan ku mbahej.
 
Nga bota

 
Në Bagdad, Sadam Hysein u dëbua nga salla ku po zhvillohej procesi gjyqësor kundra tij. Pas një debati të shkurtër me gjykatësin, diktatori irakian tha se nuk dëshiron të jetë i pranishëm mbyllur në një kafaz. Nga plani politik, kryeministri Talabani kërkoi praninë e vazhdueshme të forcave ushtarake amerikane në Irak.

Gjithashtu kryeministri irakian, deklaroi se ia doli të bindë rebelët kurdë në veri të Irakut të shpallin një armëpushim. I intervistuar nga revista “Newsweek” kryeministri Talabani tha se armëpushimi do të shpallet në ditët e ardhshme nga partia e punëtorëve kurdë (PKK).

Nesër rifillojnë takimet ndërmjet presidentit palestinez Abu Mazen dhe kryeministrit Ismail Hanijeh për formimin e qeverisë së re të bashkimit kombëtar. Nga ana tjetër zëvendëskryeministri izraelit Shimon Perez tha se drejtuesi i Al Fatahut, Marwan Barghuti, nuk mund të përfshihet në listën e terroristëve palestinezë gati për shkëmbim me rreshterin Ghilad Shalit.

Në Somali vijon përparimi i Oborreve islamike, të cilat dje pushtuan Kizimaon, port i një rëndësie të veçantë. Trupat islamike nuk ndeshën në asnjë rezistencë pasi forcat e qeverisë së tranzicionit ishin larguar para mbërritjes së tyre.

Katër pengjet franceze rrëmbyer në Jemen, më 10 shtator, nga pjestarë të një fisi tribal, u liruan sot. Lajmi u dha nga një deputet i parlamentit të Jemenit.

47 të vdekur ndërmjet të cilëve dhe shumë fëmijë, nga një aksident rrugor dje në Ekuador. Autobusi me të cilin udhëtonin 52 udhëtarë, pjesëtarë të së njëjtës familje u rrëzua në një humnerë, ndërsa po kthehej nga një ekskursion.







All the contents on this site are copyrighted ©.