2006-09-23 17:28:23

Shenjtorët e javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar.


(24.9.2006 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXV të kohës gjatë vitit kishtar.
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Firminin, ipeshkëv i Amiensit e martir. Në se fjala që dëgjojmë gjen një tokë pjellore – na kujton festa e Shenjtit – atëherë do të jemi dëshmitarë të ndritshëm të Zotit.

Të martën do të përkujtohen Shën Kozma e Damiani, martirë dhe Shën Nili, abat i Grotaferratës, të cilët gjithë jetën e tyre ecën në rrugën e Zotit, duke e dëgjuar fjalën e Tij e duke e vënë atë në jetë.

Shën Vinçenc de’ Paoli, meshtar, themelues i Kongregatës të Misionit të Bijave të Bamirësisë, pajtor i të gjitha shoqatave të bamirësisë, që do të përkujtohet të mërkurën e ardhshme, na kujton se fjala e Zotit është llambë për hapat e çdo besimtari. Prandaj Jezusi i nis nxënësit e vet ta kumtojnë fjalën e Tij deri në skajet më të largëta të botës. Përmes Pagëzimit, edhe ne jemi të ftuar për këtë kumtim.

Përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës, i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të mos e kuptojmë të renë që na sjell, e cila nuk i përket një kohe të caktuar, por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës. Këtë na kujton, të enjten e ardhshme, festa liturgjike e Shën Vençeslaut, dukë i Bohemisë, martir dhe e Shën Lorencit Ruiz me shokë, martirë.

Të premten e ardhshme Kisha na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit ‘forcës së Hyjit’ e Rafaelit ‘ilaçit të Zotit’, që na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.

Të shtunën do të kremtohet festa e Shën Jeronimit, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet fjalën hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.