(24.9.2006 R.V.)Imzot Vu Qinjing, ipeshkvi i Zhuzhi në Kinë, arrestuar
më 11 shtator, u lirua më 16 të muajit në vijim, pas pesë ditë burgimi. Sipas qeverisë
së Pekinit, është shuguruar ilegalisht. Ilegalisht për qeveritarët kinezë do të
thotë ‘pa lejën e tyre’, prandaj edhe i vunë prangat, duke u detyruar ta lirojnë pas
sensibilizimit të mbarë botës nga agjensia AziaNjuz, e cila sqaroi: “Prelatin e detyruan
me dhunë të pranojë se shugurimi i tij është ilegal e se nuk do t’ i përdorë kurrë
më gjatë kremtimeve veshjet liturgjike dhe mitrën e ipeshkvit katolik”. U la i lirë
vetëm pas këtij pohimi, për t’u shtruar menjëherë në spital, për shkak të një goditjeje
në tru, pasojë e torturave që iu bënë në burg. E kjo nuk është hera e parë që arrestohet,
në sa urojmë të jetë e fundit e të mos pengohet më të kryejë misionin e tij ipeshkvnor.
Në
shtetin indian të Gujaratit, pas tri vjet debatesh e ndeshjesh politike e ligjore,
u miratua ligji që i quan të paligjshme kthimet nga feja induiste në çfarëdo feje
tjetër. Kisha vendase deklaron se do t’i kundërvihet ligjit. “Së bashku me ipeshkvijtë
e Gujaratit – njoftoi përmes agjensisë AziaNjuz imzot Stanislaus Fernandez, sekretar
i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore indiane – do të shkojmë te governatori për
t’i kërkuar të mos e lejojë zbatimin e një ligji kaq drakonian, adoptuar që në vitin
2003, por që deri tani ka mbetur vetëm në letër. E kjo sepse ligji vë në shënjestër
sidomos kthimet nga feja indù në fenë e krishterë, nga të cilat ka më shumë frikë
qeveria vendase. Kujtojmë se gjëja e parë që duhet të bëjë një indù i cili dëshiron
të kthehet në fenë e krishterë, është të njoftojë gjykatësin e zonës. Për Imzot Fernandez
“është poshtëruese që autoritetet civile të kenë të drejtën të japin gjykime për
fenë e individëve”.
Nga 4 deri më 8 tetor, për herë të parë në histori, në
Rusi, e pikërisht në qytetin e Shën Pieterburgut, do të mblidhen kryetarët e 34
konferencave ipeshkvnore katolike të Evropës. Takimi do të organizohet me ftesë
të Jozef Verth, kryetar i ipeshkvijve katolikë të Federatës ruse, si shprehje nderimi
për vendin mikpritës dhe shenjë bashkimi me të gjithë të krishterët që jetojnë në
këto troje. Me këtë rast Asambleja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore
të Evropës (CCEE) do të zgjedhë kryesinë e re të organizmit për pesëvjeçarin 2006-2011
si dhe kryetarët e Komisionit ipeshkvnor evropian për Mediat (CEEM), të Komisionit
baritor të emigracionit, të Komisionit “Katekizmi, shkolla, universitetit” dhe të
Komisionit “Shërbimi evropian për thirrjet meshtarake”. Në qëndër të vëmendjes do
të jetë reflektimi për shërbimin e kryer gjatë 35 vjetëve nga CCEE dhe për sfidat
e së ardhmes që kanë të bëjnë me ungjillëzimin.
Shpresohet të bëhen hapa konkrete
përpara në dialogun teologjik, që ka rifilluar në Beograd ndërmjet Kishës katolike
e Kishës ortodokse. Në Beograd vijojnë punimet e Sesionit të nëntë plenar të Komisionit
të përbërë ndërkombëtar për dialogun ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Dialogohet
rreth temës ‘Teologjia e bashkimit’. Pjesëmarrësit po përballojnë dy çështje themelore
për ecjen drejt bashkimit të dy kishave: çështjen e parisë së Ipeshkvit të Romës dhe
atë të ‘uniatizmit’, dmth të kishave lindore që kanë mbetur në bashkim me Romën. Takimi,
që do të përfundojë më 25 shtator, shënon rifillimin e dialogut ndërmjet dy kishave,
pas tetë vjet ndërprerjeje.