2006-09-22 19:03:46

U vranë në Indonezi tre katolikët e dënuar me vdekje. Dhimbja e Papës dhe dënimi nga mbarë bota. Për drejtorin e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë “është disfatë e njerëzimit”.


(22.9.06 RV) Disfatë për njerëzimin: u vranë në Indonezi tre katolikët e dënuar me vdekje pas ndeshjeve në ishullin Sulavezi. Selia e Shenjtë shpreh keqardhjen e thellë pas thirrjes së padëgjuar të Papës. Ekzekutimi, në përfundim të një gjykimi të shpejtuar, denoncohet nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
As thirrjet e Papës e as ato të organizatave të shumta humanitare, nuk mjaftuan për ta ndaluar dorën vrasëse: mbrëmë në aeroportin e Palusë, në Indonezi u zbatua vendimi i dënimit me pushkatim të Fabianus Tibo, Marinus Rivu dhe Domingus da Silva, tre katolikëve të akuzuar për nxitjen e dhunës gjatë ndeshjeve ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme, të cilat tronditën thellë ishullin në vitin 2000.
“Çdo dënim me vdekje që zbatohet, është disfatë për njerëzimin”: ky është komenti i hidhur i Drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardit për lajmin e vrasjes së tre katolikëve indonezianë. Për ta Papa pati kërkuar zbutjen e dënimit më 11 gushtin e kaluar, kërkesë që nënvizon refuzimin e plotë të dënimit me vdekje nga ana e Kishës katolike.
Edhe Bashkimi Evropian shprehu keqardhjen dhe, përmes një mesazhi, e dënoi ekzekutimin e tre të krishterëve, duke kërkuar një moratorium urgjent kundër dënimit me vdekje në Indonezi.
Në vijë të parë në këtë front është edhe Amnesty International, që ka shprehur pakënaqësinë për ekzekutimin, pasi ka denoncuar parregullsi të dukshme gjatë procesit, ku nuk janë dëgjuar disa dëshmitarë, ndërsa janë kërcënuar avoketët mbrojtës të tre të dënuarve.
ngjarjen e bën edhe më dramatike njoftimi i agjensisë AziaNjuz, sipas së cilës autoritetet indoneziane ia kanë mohuar të dënuarve me vdekje të drejtën të marrin pjesë në Meshën e fundit.
Sipas agjensisë Misna, auoritetet nuk lejuan që trupat e të vrarëve të varroseshin në Kishën e Shën Marisë në qytetin Palu, refuzim që ngjalli protesta të reja nga ana e të krishterëve. E pavarësisht nga thirrjet e ipeshkvijve për qetësi, ekzekutimi i tre të krishterëve ka shkaktuar një valë të re protestash, që kanë pasur si pasojë plagosjen e shumë njerëzve dhe dëmtimin e disa stacioneve të policisë ndërmjet lindjes dhe përendimit të ishullit Timor.







All the contents on this site are copyrighted ©.