2006-09-22 19:00:49

Papa porositë anëtarët e plenares së Këshillit Papnor të Laikëve: Eukaristia të jetë në qendër të përtëritjes së famullive.


(22.9.06 RV) Përtëritja e jetës famullitare të ketë Eukaristinë në qëndër të bashkimit të anëtarëve të saj e të solidaritetit për të tjerët: me këto fjalë iu drejtua Benedikti XVI anëtarëve të Plenares së Këshillit Papnor për Laikët, duke i pritur sot në Vatikan.
Sot Papa Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, anëtarët dhe këshilltarët e Këshillit Papnor për Laikët, punimet e Mbledhjes plenare të të cilit me temë: “Famullia e rigjetur: rrugët për ripërtritje”, filluan dje në Romë.
Ati i Shenjtë i përshëndeti përzemërsisht mysafirët, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e besimtarëve laikë në shërbimin që Këshilli i bën Selisë së Shën Pjetrit dhe Kishës katolike të përhapur në mbarë botën.
Benedikti XVI shpjegoi se që gjatë viteve të shërbimit të tij pranë Kuries Romake, e aq më tepër tani, ka pasur rastin ta njohë nga afër rëndësinë në rritje të Këshillit Papnor për Laikët. Në vijim kujtoi se ka kryesuar dy veprimtari të rëndësishme, organizuar nga dikasteri: Ditën Botërore të Rinisë, mbajtur në Këln në gushtin e kaluar dhe takimin, në Sheshin e Shën Pjetrit, natën e Rrëshajëve të këtij viti, në të cilin morën pjesë përfaqësues të më se njëqind lëvizjeve kishtare si dhe bashkësitë e reja. Kujtoi më pas edhe Kongresin latino-amerikan të këtyre lëvizjeve dhe bashkësive, organizuar nga ky Këshill Papnor në bashkëpunim me CELAMIN në Bogotà më 9 deri më 12 mars 2006, në prag të Konferencës V të përgjithshme të Episkopatit latino-amerikan.
Ati i Shenjtë theksoi se natyra teologjike dhe baritore e bashkësisë famullitare, shqyrtuar në Asamblenë e kaluar plenare të dikasterit, nuk mund të veçohet nga këndvështrimi operativ, prandaj e vlerësoi temën: “Famullia e rigjetur: rrugët për ripërtritje”, rreth së cilës po diskutohet në asamble. E për ta kuptuar drejtë natyrën e bashkësisë së krishterë, dmth të çdo famullie, Papa kujtoi fjalët e Shën Lukës Ungjilltar nga “Veprat e Apostujve”, ku përshkruhet bashkësia e parë e Jeruzalemit, gjithnjë e kujdesshme në përvetësimin e mësimit të Apostujve, në ndarjen e bukës e në uratë, një bashkësi besimtarësh në përkim të plotë, ku gjithçka ishte e përbashkët ( cfr 2,42; 4,32-35).
Famullia – vijoi të shpjegonte Ati i Shenjtë – mund ta rijetojë këtë përvojë në se lutet vazhdimisht, në se dëgjon Fjalën e Zotit e posaçërisht, në se merr pjesë në Eukaristinë e kryesuar nga meshtari. Më pas Benedikti XVI kujtoi fjalët e Gjon Palit II në Enciklikën ‘Ecclesia de Eucharistia’: “Famullia është bashkësi e të pagëzuarve, që e shprehin dhe e afirmojnë identitetin e tyre posaçërisht përmes kremtimit të Flijimit eukaristik”. Prej këndej – theksoi Papa :
“Përtëritja e dëshiruar e famullisë nuk mund të realizohet vetëm me nisma, sado të nevojshme, baritore, aq më pak me programe të hartuara në tavolinë. Famullia mund ta gjejë vetveten vetëm duke u frymëzuar nga modeli apostolik, ashtu si e shikojmë në “Veprat e Apostujve”. Famullia e rigjen vetveten në takimin me Krishtin, posaçërisht në Eukaristi. E ushqyer me bukën eukaristike, ajo rritet në gjirin e bashkësië katolike, ecën me besnikëri të plotë ndaj magjisterit dhe është gjithnjë gati të zgjedhë karizmat e ndryshme që dikon Zoti në Popullin e vet".
Në përfundim Papa uroi që punimet e Asamblesë të kontribuojnë për t’i bërë laikët gjithnjë më të vetëdijshëm për misionin e tyre në Kishë.







All the contents on this site are copyrighted ©.