2006-09-22 19:02:51

Kryeipeshkëvija e Tiranë-Durrësit në festë. Nesër nëKatedralen e Shën Palit shugurohet ipeshkvi i ri ndihmës i Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo, misionar domenikan


(22.9.06. RV) Nesër në ora 11.00 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë, shugurohet ipeshkvi i ri ndihmës i kryeidioqezës së Tiranë-Durrësit, imzot Gjergj Frendo, misionar domenikan.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI duke u përkujdesur për mbarëvajtjen e Kishës në Shqipëri, para disa muajsh ka emruar misionarin domenikan nga Malta, Atë Gjergj Frendon, ipeshkëv ndihmës për kryeipeshkëvinë e kryeqyetit të Shqipërisë.
Ndërsa shugurimin ipeshkvnor të ipeshkvit të ri të Tiranës izmot Frendos do ta bëjë kryeipeshkëvi metropolit i Tiranës dhe presidenti i Konferencës Ipeshkëvore katolike të Shqipërisë, imzot Rrok Mirdita në bashkëkremtim me kryeipeshkëvijë tjerë nga Malta, Italia, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Për këtë rast, për të marrë pjesë në këtë ditë gëzimi për Kishën e Tiranës, kishin ardhur nga Malta një grup besimtarësh e miqësh të ipeshkvit të ri bashkë me barinjët e tyre. Në Meshën solemne pritet të marrin pjesë edhe shumë besimtarë nga e tërë kryeipeshkëvia por edhe nga mbarë Shqipëria.
E ne po ju propozojmë biografinë e ipeshkvit të ri:
Atë Gjergj Frendo ka lindur në Qormi të Maltës më 4 prill 1946, ku edhe është pagëzuar me emrin Anthony (Anton). Më 1962 hyri në Urdhërin e Predikatarëve ( Domenikanëve). Nisi menjëherë studimet filozofike e teologjike në Kolegjin Filozofiko-Teologjik Domenikan të Rabatit në Maltë, ku edhe bëri kushtet e përjetshme rregulltare në vitin 1967 dhe u shugurua meshtar më 7 prill 1969.
Në vitin 1973 u diplomua në Romë në Drejtësinë Kanonike Kishtare pranë Universitetit Papnor të Shën Tomës (Angelicum). U kthye në Maltë ku dha mësim në Kolegjin Domenikan të Rabatit dhe në Fakultetin e Teologjisë në Maltë.
Nga viti 1974 deri në vitin 1996 kreu disa detyra në urdhërin Domenikan: qe mësues i novicëve, epror kuvendi, famullitar e provincial; ndërsa në Kryedioqezën e Maltës: avokat e gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane të shkallës së dytë. Nga viti 1992 deri më 1996 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj të Maltës.
Nga viti 1997 ndodhet në Shqipëri ku, duke nisur nga viti 1998, kryen detyrën e Vikarit të Përgjithshëm të Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit e, nga viti 2001, atë të zevendës-gjyqtarit të Gjykatës Ndër-Dioqezave të shkallës së parë. Nga viti 1999 deri më 2003 ka qenë Kryetar i Konferencës së Eprorëve të Mëdhenj në Shqipëri e, nga viti 2001 deri më 2005, anëtar i Këshillit ekzekutiv të Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Mëdhenj. Imzot Gjergj Frendo flet mirë anglishten, italishten e shqipen, sikur dëshmon edhe ky fragment që kemi shkëputur nga intervista që kemi bërë me të posa është emruar nga Papa ipeshkëv i ri. Ta dëgjojmëRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.