2006-09-21 18:36:13

Të angazhohemi për të bërë më tepër për një paqe afatgjatë: tha sot Kofi Anan në ditën ndërkombëtare për paqen.


(21.9.06 RV) Të promovojmë një ditë paqeje dhe jo dhune. Ky është objektivi i ditës së sotme ndërkombëtare për paqen, caktuar nga Kombet e Bashkuara. Në mesazhin e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, duke kujtuar viktimat e luftrave dhe ata që jetojnë në një atmosferë pasigurie dhe frike, u kërkoi të gjithë popujve një përfshirje më të gjerë për të arritur një paqe afatgjatë. Pastaj sekretari i përgjithshëm i OKB-së Anan nënvizoi kontributin e Kombeve të Bashkuara në këtë drejtim.
“Kombet e bashkuara punojnë për paqen në shumë mënyra. Po bëjmë të pamundurën për të parandaluar gjakderdhje të tjera dhe kemi arritur edhe suksese në këtë drejtim. Shtetet anëtare po i kushtojnë më shumë vëmendje diplomacisë parandaluese. Misionet për ruajtjen e paqes të Kombeve të Bashkuara, së bashku me përpjekjet tona për inkurajimin e demokracisë dhe promovimin e të drejtave njerëzore, po e bëjnë të tyren. Individë të veçantë të të gjithë botës, burra dhe gra të kësaj shoqërie, po punojnë për lehtësimin e vuajtjeve dhe për të ndërtuar ura që të lidhin popuj, kultura dhe besime të ndryshme. Në fakt ka më pak luftra sot sesa në dhjetëvjeçarin e kaluar por sidoqoftë, janë të shumta. Çdo shpërthim konfliktit është një dështim që të kujton sa është për t’u bërë.”

Të shumta demonstratat organizuar në gjithë botën për të dëshmuar kundër dhunës. Këshilli ekumenik i Kishave ftoi të krishterët të kremtojnë ditën e sotme si “Ditë ndërkombëtare lutjeje dhe paqeje”, me mbrëmje lutjeje dhe liturgji. Kishat e Amerikës Latine nën parullën “...dhe ne vazhdojmë të kërkojmë paqen”, i nxitën besimtarët që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë dhunës në Amerikën Latine., si edhe vuajtjeve të fëmijëve, burrave dhe grave në Lindje të mesme. Në fund, në Romë familja domenikane organizoi një marshim duke ftuar të gjitha bashkësitë domenikane në botë për të dëshmuar solidaritet me vëllezërit e Lindjes së mesme dhe të luten për ardhjen e paqes dhe të pajtimit në të gjitha zonat e shenjuara nga konfliktet.








All the contents on this site are copyrighted ©.