2006-09-21 18:38:41

Lajme politike nga bota


(21.9.06. RV) Përsëri një ditë e përgjakshme në Irak. Dy gra u vranë nga një autobombë në Bagdad. Po në kryeqytet gjashtë policë irakianë, dy roje kombëtare dhe një ushtar amerikan mbetën të vrarë në tri sulme të ndryshme. Dhunë pati edhe në Faluzhë, ku shtatë ushtarë irakianë humbën jetën në sulme të ndryshme të organizuara nga rebelët. Gjithashtu edhe një ushtar italian vdiq në një aksident, rreth 10 km larg Nasirisë.

Edhe në Afganistan një ushtarak italian humbi jetën në një aksident rrugor në Kabul. Burimet ushtarake njoftuan se mjeti në të cilin udhëtonte ushtari u përmbys gjatë patrullimit, duke i përjashtuar kështu gjasat për një sulm terrorist.

Në Çeçeni, të paktën 5 ushtarakë rusë u vranë në një pritë të terroristëve. Ushtarët u goditën në befasi me breshëri në afërsi të një stacioni autobusësh në Grozni.

Sa vjen e bëhet më e ashpër përplasja në OKB ndërmjet vendeve si Irani dhe Venezuela dhe Shteteve të Bashkuara. Të parët kërkojnë respektimin e lirive dhe të drejtave të vendeve të botës së tretë, ndërsa të dytët pezullimin e menjëhershëm të programit bërthamor iranian.
Ndërkaq Evropa po përpiqet të ndërmjetësojë. Udhëheqësi iranian Ahmadinexhad dhe ai venezuelan, Hugo Shavez, kërkuan që OKB-ja të ripërtërihet për t’u dhënë më shumë zë vendeve në zhvillim, sipas tij viktima të amerikanëve. Ndërsa Shtëpia e Bardhë u përgjigj se fjalë të tilla nuk meritojnë të komentohen fare.







All the contents on this site are copyrighted ©.