Kalendari kishtar i 21 shtatorit, përkujton Shën Mateun, Apostull e Ungjilltar.
(21.9.06. RV) Mateu, në Ungjillin e tij, flet vetë për thirrjen që i bëri Jezusi:
“Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi
i tha: “Eja mbas meje!”. Ai u ngrit e shkoi pas Tij”. Shën Marku shton hollësinë
se babai i të thirrurit quhej Alfeo, ndërsa Shën Luka rrëfen se pasi la gjithçka për
të ndjekur pas Jezusin, Mateu shtroi një gosti të madhe, në të cilën morën pjesë shumë
publikanë, duke ngjallur kështu polemika të ashpra nga ana e farizejve, të cilët u
mrekulluan kur panë se Jezusi hante me mëkatarët. Të dy ungjilltarët e quajnë Mateun
edhe Levi, ashtu si Simoni quhet edhe Pjetër e Sauli- Pal. Emri i parë është Levi
– i dyti, Maté, përdoret pas thirrjes. Pas Rrëshajëve Mateu shkroi Ungjillin drejtuar
hebrenjve, për t’ua plotësuar mungesën e tij, kur u nis për të predikuar Krishtin
në vise të tjera. I shkruar në një gjuhë që e kuptonin pak njerëz, teksti i Mateut
u bë libër për të gjithë, pasi u përkthye në gjuhën greke. Dëshmon, mbi të gjitha,
se Jezusi është Mesia që realizon premtimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe përmban pesë
kumtime të rëndësishme të Krishtit mbi Mbretërinë e Hyjit. Mateu ishte nga Kafarnao,
qëndër e rëndësishme, ku kalonin masa tregtarësh, nga të cilët mblidhte taksat.
E pikërisht ky njeri, kaq i lidhur me botën e parasë, në Ungjillin e tij do të
shkruante fjalët e Jezusit: “Lum të varfërit!”; “Kur jep lëmoshë, të mos e dijë e
majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë” dhe “Mos grumbulloni
thesare mbi tokë… nuk mund t’i shërbehet njëkohësisht edhe Zotit edhe mamonës… Kërkoni
më parë mbretërinë e Zotit, e gjithçka tjetër ka për t’ju dhënë si shtesë”. Ky
është mesazhi që na sjell sot Shën Mateu, Apostull e Ungjilltar, një nga hebrenjtë
që u bënë dëshmitarët e ngjalljes së Krishtit dhe i kumtuan botës se Jezusi i Nazaretit
është Mesia i premtuar nga Shkrimet e Shenjta. Ka shumë mundësi që të ketë vdekur
nga vdekje natyrore, ndonëse burime pak të besueshme flasin për martirizimin e tij.