2006-09-21 18:35:48

Jam e bindur në dialogun ndërmjet Islamit e Perëndimit e jo në ndeshje mes qytetërimeve”: këtu pohon iranianja Shirin Ebadi, çmim Nobel për Paqe në mikrofon të Radio Vatikanit.


(21.9.2006 RV) “Një çështje që përfundoi me fjalët e Benediktit XVI”. Nuk ka as gjurmë polemike në fjalët e Shirin Ebadit, avokateshës iraniane, Çmim Nobel për Paqen në vitin 2003, kur flet për reagimin e botës islame pas fjalimit të Papës në Regensburg. Tashmë zonja iraniane është bërë ikonë për mbrojtjen e të drejtave të grave. Nga Roma, ku ka ardhur këto ditë për paraqitjen e librit të saj “Irani im”, shtypur nga Sperling e Kupfer, Ebadi pranoi të fliste për ngjarjet e ditëve të fundit, kur disa personalitete myslimane iu kundërvunë ashpërsisht fjalëve të Benediktit XVI. Ajo ripohoi me forcë se beson në dialogun ndërmjet kulturave e jo në ndeshjen ndërmjet qytetërimeve. Ja si u shpreh në intervistën dhënë Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Falënderoj Shenjtërinë e Tij sepse e shpjegoi kuptimin e fjalëve, duke sqaruar se nuk e kishte ndër mend të fyente Profetin tonë, Muhametin: e falënderoj me gjithë zemër dhe shpresoj se çështja do të përfundojë me kaq.
Pyetje: - A mendoni se episode të tilla mund t’i çkurajojnë njerëzit që besojnë se mund të flitet për dialog ndërmjet Perëndimit e Islamit. Ju, si myslimane, besoni apo jo në ndeshjen ndërmjet qytetërimeve?
Përgjigje: - Unë besoj vërtetë në dialogun ndërmjet feve e nuk jam absolutisht në favor të ndeshjes ndërmjet qytetërimeve. E pastaj, kjo lloj ndeshjeje e ky tip integralizmi, nuk vërehet vetëm ndërmjet myslimanëve: ekziston në shumë shoqëri, në shumë qytetërime e fe.
Pyetje: - Në Librin tuaj, ju shkruani se ndërmjet ’98-tës e ’99-tës vendi juaj jetoi një çast të jashtzakonshëm, kur liria e shtypit dhe e opinionit ishte realitet, e prandaj ky çast u pagëzua me emrin “pranvera e Teheranit”. Si do ta përshkruanit vendin tuaj pikërisht këto ditë, kur presidenti e përfaqësoi në tribunën e OKB-së?
Përgjigje: - Në librin tim kam shkruar se kjo pranverë lirie nuk zgjati shumë; madje qe tepër e shkurtër e është e qartë se tani situata është shumë më e vështirë. Liria po jeton kohë edhe më të vështira në vendin tonë.
Pyetje: - Ju në vitin 2003 morët Çmimin Nobel për Paqen. Por që prej gjashtë vjetësh jeni edhe në listën e të dënuarve me vdekje në vendin tuaj. Si ia delni mbanesh të realizoni përgjegjësinë shoqërore, si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, njëkohësisht me vetëdijën, e jo më pak edhe me frikën, se ndokush një ditë, për të njëjtën arsye, mund t’ju bëjë të keqen?
Përgjigje: - Detyra e atij që mbron të drejtat e njeriut bëhet edhe më e rëndësishme në një shoqëri që i shkel të drejtat e njeriut. Por në se beson në rrugën që ke zgjedhur, në se beson se ecën në rrugë të drejtë, atëherë hapat tuaj bëhen gjithnjë më të sigurtë e nuk të pengojnë të ecësh gjithnjë përpara. Pastaj unë jam besimtare, jam myslimane. E kjo më jep edhe më shumë siguri: më jep forcë për të ecur përpara.
Pyetje: - Emri juaj sot është bërë sinonim i mbrojtjes të të drejtave, posaçërisht të gruas. Ç’mendoni për këto të drejta sot në vendin tuaj e në ç’drejtim punoni për t’i mbrojtur?
Përgjigje: - Mendoj se burrat e gratë janë të barabartë. Por shpjegimi i gabuar i kësaj çështje në fenë tonë islamike ka bërë që gratë, në vendin tonë, të diskriminohen. Ajo që po bëj unë, puna ime, është t’i jap një shpjegim të drejtë, pikërisht duke u nisur nga Islami: një shpjegim të drejtë për atë që është kuptuar keqRealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.