2006-09-20 17:59:01

Duke shfletuar Kalendarin e 20 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Andreun Kim Taegon me shokë, martirë koreanë.


(20.9.2006 RV)Kisha koreane ka një karakteristikë ndoshta të pashembullt: u themelua dhe u mbajt gjallë nga laikët. Feja e krishterë u duk në Kore në fillim të viteve 1600 përmes një delegacioni që çdo vit vizitonte Pekinin në Kinë, për shkëmbime kulturore me këtë komb, i cili vlerësohej shumë në të gjithë Lindjen e largët. Në Kinë koreanët u njohën me fenë e krishterë. Prej andej sollën në atdhe librin “Doktrina e vërtetë e Zotit”, shkruar nga jezuiti Atë Mateo Riçi. E një laik, Li Bieok, mendimtar i madh, duke u frymëzuar nga libri i misionarit të famshëm jezuit, themeloi të parën bashkësi të krishterë në Kore. Më pas pjesëmarrësit në delegacionet e përvitshme në Kinë, sollën në Kore jo vetëm gjithë literaturën e nevojshme për bashkësinë katolike, por edhe meshtarin e parë, don Çu-Mun–Mo, ardhja e të cilit bëri që bashkësisë t’i shtoheshin me mijëra besimtarë.
Për fat të keq edhe në Kore që në vitin 1785 shpërtheu persekutimi, gjatë të cilit u martirizuan 10 mijë vetë, nga të cilët janë shpallur të lum 103 në dy grupe: grupi i parë më 1925, i dyti më 1968. Pastaj të gjithë u shpallën shenjtorë në Seul të Koresë nga Papa Gjon Pali II më 6 maj 1984, me rastin e kremtimeve të dyqindvjetorit të ungjillëzimit të Vendit aziatik. Prej tyre, vetëm 10: 3 ipeshkvij e 7 meshtarë, ishin të huaj; të tjerët - të gjithë koreanë, katekistë e besimtarë. Ndër ta edhe Shën Andreu Kim Taegon.
Andreu Kim Taegon lindi më 1821 në gjirin e një familjeje të krishterë koreane. I jati, për të shpëtuar nga persekutimi, la Seulin dhe së bashku me gruan, fëmijët, nënën e vëllezërit, të gjithë të krishterë, u fsheh në një zonë të humbur ndërmjet maleve. Me të edhe Andreu. Megjithatë djaloshi nuk mundi të shpëtonte nga burgu. U kap dhe u flak në qeli, ku iu nënshtrua torturave më mizore me qëllim që të mohonte Krishtin. Po ai qëndroi deri në frymën e fundit, derisa i prenë kokën. Ishte data 16 shtator e vitit 1846. Kështu Kisha koreane merrte pagëzimin e gjakut!








All the contents on this site are copyrighted ©.