2006-09-19 19:05:22

Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen për vdekjen e motër katolike Leonela Sgorbatit, vrarë barbarisht në Somali të dielën e kaluar.


(19.09.06. RV) Gjaku i rregulltares katolike - uron Papa – bëftë të lulëzojë vëllazëria e vërtetë ndërmjet popujve, në atmosferën e respektit reciprok të bindjeve fetare të secilit.
Në një telegram, dërguar në emër të Papës nga Kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarcizio Bertone Nënës Gabriela Bono, eprore e përgjithshme e Misionareve të Zojës Ngushëlluese, të cilave u përkiste rregulltarja italiane, Benedikti XVI , duke kujtuar se motra kryente me gëzim një veprimtari të çmuar në shërbim të popullisve somale, posaçërisht në favor të fëmijëve e në fushën e përgatitjes të punonjësve të shëndetësisë, ripohon se e dënon me vendosmëri çdo formë dhune. Më pas urohet që gjaku i derdhur nga një nxënëse kaq besnike e Ungjillit, të bëhet farë e shpresës për të krijuar vëllazërinë e vërtetë ndërmjet popujve në atmosferën e respektit reciprok të bindjeve fetare të secilit.
Salikimet e Motër Leonelës do të kremtohen të enjten e ardhshme në Kishën e Zojës Ngushëlluese të Nairobit, në Kenia. Kremtimi do të kryesohet nga Imzot Gjorgjo Bertin, ipeshkëv i Gjibutit dhe administrator apostolik i Mogadishos. Kujtojmë se motër Leonela drejtonte një shkolllë për infermierë në spitalin pediatrik “Sos Kindergarten” të kryeqytetit somal. Dy vrasës hapën zjarr kundër saj pak metra larg institutit. Para se të jepte shpirt – sipas dëshmisë të një simotre të saj – përsëriti tri herë fjalët “I kam falur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.