Duke shfletuar Kalendarin e 19 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Gjenarin.
(19.9.2006 RV)Gjenari, ipeshkëv i Beneventit, u martirizua në Pocuoli pranë
Napolit, qytet ku nderohet në mënyrë të veçantë e ku ruhen reliket e tij, të njohura
sidomos për shkrirjen e gjakut. Shtatë janë “aktet” që flasin për martirizmin e Gjenarit.
Ndër to, vendin e parë e zënë “Aktet bolonjeze” dhe “Aktet vatikanase”. Nga këto dokumente
mësojmë se Gjenari mund të ketë lindur në Napoli aty nga gjysma e shekullit III e
se qe ipeshkëv i Beneventit, ku zhvilloi apostullimin e tij, i dashur dhe i nderuar
nga e gjithë bashkësia e krishterë, madje edhe nga paganët, për shkak të kulturës
së tij të thellë e të gjithanëshme si dhe për bamirësinë, pa kurrfarë dallimi. Ishte
periudha e parë e perandorisë së Dioklecianit (243-313), kur nuk kishte nisur ende
martirizimi e prandaj të krishterët gëzonin lirinë e kultit. Por kur ipeshkvi
bamirës u plak, shpërtheu persekutimi. Burgjet nisën të mbusheshin me të krishterë,
që shumë shpejt u dukën edhe në arenat e cirqeve. Ipeshkvi u kap në sa vizitonte e
u jepte zemër besimtarëve të tij ndër pranga, në prag të martirizimit. Deshën të organizonin
me të një shfaqje cirku, duke e vënë përballë arinjve të uritur. Por duke pasur frikë
nga revolta e mundshme e popullit, që e nderonte, ndërruan mendim dhe vendosën t’i
presin kokën. Një grua me emrin Euzebia, siç ishte zakon në këto kohë të errëta për
të krishterët, ia doli mbanesh ta mblidhte një pjesë të gjakut të ipeshkvit martir
në dy lotore e ta ruante me nderim të madh. Është ky gjak që çdo vit, në të kremten
e Shenjtit, shkrihet, duke i prekur thellë ndjenjat fetare të besimtarëve napolenatë
e, në përgjithësi të të gjithë besimtarëve, që shikojnë në këtë shkrirje, një mrekulli
të përvitshme të Shën Gjenarit.