2006-09-18 18:01:17

Vazhdojnë me tone të ndryshme reagimet e botës islamike ndaj fjalëve të shqiptuara dje nga Benedikti XVI gjatë Engjëllit të Tenzot.


(18.9.06. RV) Ndërsa Bashkimi Evropian thotë se: “Reagimet e papërpjestueshme nuk mund të pranohen.” Mbi këtë ngjarje, opinioni i Mario Shalosë së Lidhjes myslimane botërore.

Bota islamike i përgjigjet në mënyra të kundërta keqardhjes së shprehur dje nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot. Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian Johannes Laitenberg mbajti qëndrim ndaj kësaj ngjarjeje duke pohuar se: “Reagimet e papërpjestueshme, që janë njësoj si mohimi i lirisë së fjalës, janë të papranueshme.” Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi polemikat pas fjalimit të Papës në Ragensburg, Laitenberger deklaroi se: “Sipas Komisionit të BE-ian çdo reagim duhet të bazohet mbi sa është thënë në të vërtetë dhe jo nga citime të veçuara me dashje”. Por le t’u kthehemi reagimeve të botës islamike.

Zëdhënësi i qeverisë iraniane pohoi se nuk i quan të mjaftueshme sqarimet e Papës mbi fjalimin e tij mbajtur në Regensburg. Një fjalim, – kujtojmë këtu – që nuk kishte si temë kryesore islamin, por raportin ndërmjet besimit dhe arsyes. Nga ana e vet Organizata për edukimin, shkencat, dhe kulturën islamike (ISESCO) i kërkoi Papës që të kërkojë falje troç. E njëjta kërkesë është formuluar nga myftiu i madh i Turqisë, ndërsa qeveria e Pakistanit kërkon një debat në OKB mbi tolerancën fetare. Përkundrazi, presidenti indonezian Susilo Yodhoyono foli për një “mbyllje të kënaqëshme të çështjes”. Kënaqësi shprehu edhe organizata e myslimanëve në Indi dhe në Itali nga UCOII, Bashkimi i bashkësive dhe i organizatave islamike. Ndërkaq celula irakiane e Al-Kaedës vazhdon përçart me mesazhet e veta dhe njofton përmes internetit pushtimin e Romës pas pushtimit të Kostandinopojës. Në fund, një udhëheqës fetar me shumë ndikim nga Katari, por me origjinë egjiptiane, i ftoi myslimanët të premten e ardhshme për një ditë “zemërimi paqësor” kundër pohimeve të Papës.

Për një reflektim mbi reagimet e kundërta ndërmjet vetë myslimanëve ndaj fjalëve të Papës, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet Mario Shaloja, këshilltar i Lidhjes Myslimane Botërore në Itali:

Përgjigje: Papa dje gjatë Lutjes së Engjëllit të Tenzot, sqaroi plotësisht keqkuptimin dhe sqaroi plotësisht se bëhej fjalë për një pasazh, që nuk shprehte aspak mendimin e Tij, thjeshtë një citim i një fraze nga një shkrim mesjetar. Sipas mendimit tim, është një përgjigje më se e mjaftueshme dhe më duket se ka pasur edhe reagime pozitive nga bota arabe. Mendoj se ky incident qesharak mund të quhet me të vërtetë i mbyllur.







All the contents on this site are copyrighted ©.