2006-09-18 17:09:02

Reflektimi i imzot Paglias mbi fjalet e Papës gjatë Lutjës së Engjellit të Tënzot


(18.9.2006 RV) Në lutjen e djeshme Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ripohoi impenjimin e tij të bindur për “dialog të lirshëm e të sinqertë” me besimtarët myslimanë. Për një reflektim mbi fjalët dhe mbi kuptimin e vërtetë të fjalimit mbajtur nga Ati i Shenjtë në Universitetin e Regensburgut, ftuam në mikrofonin e Radios sonë, imzot Vinçenco Palian, ipeshkëv i Terni-Narni-Amelias dhe kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për ekumenizmin dhe dialogun pranë Konferencës Ipeshkvnore Italiane:
Përgjigje:- Që nga dita e parë e papnisë së Tij, Papa Benedikti XVI nënvizoi domosdoshmërinë e dialogut dhe të takimit me të gjithë, madje nënvizoi me forcë të veçantë mënyrat e zhvillimit të këtij dialogu, dmth se nuk është e mundur të dialogohet, duke përjashtuar përmasën e kulturës. Kur thotë “të lirshëm e të sinqertë”, nuk bën një pohim diplomacie apo mirësjelleje; shkon shumë më thellë, në thelb të atij që duhet të jetë dialog. E prandaj mua më duket përparim, në krahasim me perspektivat, që tashmë e kanë bërë një hap të madh përpara.
Pyetje: - Ja, imzot Palia, në fjalimin e tij në Universitetin e Regensburgut, për të cilin po flitet kaq shumë, por që ndoshta pak e kanë lexuar plotësisht, Papa mbron me pasion arsyen, një arsye që nuk e përjashton Zotin. Kjo thirrje e Atit të Shenjtë i drejtohet kryesisht Perëndimit...
Përgjigje: - Pikërisht! Nuk duhet të harrojmë se Papa i fliste Evropës, e Papa e di ç’do të thotë t’i flasësh një publiku e jo një tjetri. Papa u kujtoi një gjë: atyre që mendojnë të ngrenë një shoqëri pa Zot, pra një arsye pa fe, atyre u kujtoi se në fund të fundit e mbysin edhe vetë arsyen, mbysin njeriun. Besimtarëve u përsëriti: kini mendjen! Edhe feja ka nevojë të ushqehet, e edhe të thumbohet – në se më lejohet ta them – nga arsyeja. Përndryshe feja do të zhvleftësohej, do të binte në mirakolizëm. Tema që Papa e ka vënë në qendër të fjalimit të Regensburgut, është vendimtare: feja pa arsye bëhet një lloj nju ejxh-i, bëhet fanatizëm; një arsye pa fe bëhet intolerancë dhe totalitarizëm i padurueshëm.
Pyetje: - Gjithnjë në Regensburg, Papa ripohoi se asnjë fe nuk mund ta pranojë dhunën. Duke pasur parasysh këtë temë themelore, cilat janë perspektivat në dialogun me Islamin e, në përgjithësi, me të gjitha fetë e tjera?
Përgjigje: - Me që Papa do vërtetë që bota të jetë në paqe e nuk e ka ndër mend të bëjë vetëm thirrje moralistike, nënvizon se dhuna është gjithnjë e paarsyeshme e nuk mund të jetë e lidhur asnjëherë me përmasën fetare, përkundrazi: impenjimi i nevojshëm për një dialog të lirshëm e të sinqertë është ai, që i shtyn fetë të mos solidarizohen me dhunën. Bota ka nevojë të arsyetojë e jo të hedhë bomba e të ndezë konflikte.
Pyetje: - Benedikti XVI në Regensburg mbajti një fjalim shumë të thellë e të rrjedhshëm. Mjetet e komunikimit e katandisën në “Spot”: sipas jush, a ndikuan edhe mjetet e komunikimit për t’i trazuar shpirtërat?
Përgjigje: - Është një përgjegjësi e pamasë, sepse kemi të bëjmë me një fjalim jo të lehtë për t’u kuptuar e, kur shkëputet një frazë nga konteksti, pa dhënë gjithë tekstin, kjo mund të kthehet në një veprim vërtetë të rrezikshëm. E unë besoj se duhet të jetë një përgjegjësi e madhe për atë që është caktuar t’i transmetojë e jo t’i shtrembërojë idetë, duke e karikaturizuar kështu një fjalim të thellë, të cilin të gjithë duhet ta kuptojmë e ta pranojmë, se na bën mirë!







All the contents on this site are copyrighted ©.