2006-09-18 17:10:04

Motër Leonela, misionare italiane e vrarë në Somali.


(18.9.2006 RV)Hapim kapitullin dramatik të vdekjes së motër Leonelës, rregulltares që u vra dje në Somali. Duke folur mbi këtë episod, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, shprehu trishtimin e tij të thellë. – Më duket – tha Atë Lombardi – se episodi është fryt i dhunës dhe i mungesës së plotë të aftësisë për të arsyetuar. Po e ndjekim me shqetësim të thellë këtë valë urrejtjeje, duke shpresuar – shtoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë - se nuk do të ketë pasoja edhe më rënda për Kishën në botë.
E ndërkaq në Somali sot paradite ka vdekur edhe një njeri tjetër, për shak të shpërthimit të një bombe në afërsi të parlamentit. Sipas ministrit somal të jashtëm, atentati kishte në shenjestër presidentin, që shpëtoi i paprekur.
Për fat të keq – siç shprehet ipeshkvi i Gjibutit, imzot Gjorgjio Bertin – fanatizmi i bën njerëzit të verbër e të paarësyeshëm, duke i shtyrë t’u bëjnë keq, atyre që u bëjnë mirë. Kjo ka ndodhur me motër Leonelën e me disa rregulltarë e rregulltare të tjera, që ia patën kushtuar gjithë jetën popujve, prej nga dolën vrasësit e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.