2006-09-18 18:00:56

Deklarata e kard.Tarcisio Bertone Sekretar i Shtetit të Vatikanit para reagimeve nga ana e myslimanëve lidhur me disa fragmente të fjalimit të Atit të Shenjtë Benediktit të XVI në Universitetin e Regensburgut


(18.9.06. RV) Para reagimeve nga ana e mysulmanëve lidhur me disa fragmente (pjesë) të fjalimit të Atit të Shenjtë Benediktit të XVI në Universitetin e Regensburgut, deklaratave e saktësimeve përveç të dhënave që janë bërë përmes Drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë dëshiroi të shtoj me sa vijon:
Qëndrimi i Papës mbi Islamin është shumë i qartë e pa asnjë keqkuptim sikur shprehet në dokumentin e Koncilit të Dytë të Vatikanit Nostra Aetate: “ Kisha i shikon me nderim e vlerësim mysulmanët, që adhurojnë një Zot të vetëm, të gjallë e jetëdhënës, krijues të qiellit e të tokës, që u ka folur njerëzve. Ata orvaten t’i binden me gjithë zemër udhërave të fshehura të Zotit, sikur iu bind Abrahami, të cilit feja islame i referohet me kënaqësi. Megjithëse ata nuk e njohin Jezusin si Zot, atë e nderojnë si profet; e nderojnë nënën e tij virgjërën Mari e nganjëherë asaj i drejtojnë lutje të përshpirtërshme. Më tutje e presin ditën e gjyqit kur Zoti do të shpërblejë të gjithë njerëzit e ringjallur. Po kështu ata (mysulmanët) e vlerësojnë jetën morale e adhurojnë Zotin sidomos me lutje, lëmoshë e agjërim” (n.3)
Përcaktimi i Papës në favor të dialogut ndërfetar e ndërkulturor është po kështu shumë i qartë. Në takim me përfaqësuesit e disa bashkësive mysulmane në Këln, më 20 gusht të vitit 2006, Ai ka thënë se dialogu ndërmjet të krishtërve e mysulmanëve “nuk mund të reduktohet në një zgjedhje stinore”, duke shtuar: “Mësimet e së kaluarës duhet të na shërbejnë t’i shmangemi përsëritjes të të njëjtave gabime. Ne duam të kërkojmë udhët e pajtimit e të mësojmë të jetojmë duke respektuar secili identitetin e tjetërit ”.
Për sa i përket gjykimit të perandorit bizantin Manuelit II Paleolog, nga Papa i cituar në fjalimin e Regensburgut, Ati i Shenjtë nuk ka menduar e as nuk ka për qëllim ta bëjë të vetin, por vetëm e ka përdorur si rast për shtjellim, në një kontekst akademik, e sipas asaj që del nga leximi i plotë e i vëmendshëm i tekstit të Papës, disa reflektime mbi temën e raportit ndërmjet fesë e dhunës në përgjithësi e për të ardhur deri te përfundimi i cili refuzon qartë e rrënjësisht motivet fetare të dhunës, nga e cilado palë që të vjen. Ja vlenë të përkujtojmë lidhur me këte atë çka vet Benedikti ka pohuar kohëve të fundit në Mesazhin përkujtimor të XX vjetorit të takimit ndëfetar të lutjes për paqen të dëshiruar nga parardhësi i Tij i dashur Gjon Pali II në Asizi në tetor të vitit 1986: “ …manifestimet e dhunës nuk mund t’i mvishen feve si të tilla, por kufizimeve kulturore me të cilat ajo jetohet e zhvillohet në kohë… Në fakt, dëshmitë e lidhjes intime ekzistuese ndërmjet raportit me Zotin dhe etikës së dashurisë janë të regjistruara në të gjitha traditat e mëdha fetare”.
Për këtë prandaj, Atit të Shenjtë i vjen keq sinqerisht që disa fragmente të Fjalimit të tij kanë mundur të tingëllojnë si fyese ndaj ndjenjave të besimtarëve mysulmanë e se janë interpretuar në mënyrën që nuk i përgjigjet aspak qëllimeve të tija. Nga ana tjetër, Ai (Papa), para zellit fetar të besimtarëve mysulmanë, ka qortuar kulturën perëndimore të shekullarizuar në mënyrë që të shmanget “përçmimi e Zotit e cinizmi që e konsideron talljen të asaj që është e shenjtë si një të drejtë të lirisë”.
Në ripohimin e respektit të Tij e të vlerësimit të Tij për ata që rrëfejnë Islamin, Papa uron që këta të ndihmohen ta kuptojnë në mënyrë të drejtë domethënien e Fjalëve të Tija, kështu që, të kapërcehet shpejt ky moment jo i lehtë, të përforcohet dëshmimi ndaj “Zotit të vetëm, të gjallë e jetëdhënës, krijues i qiellit e tokës, që u ka folur njerëzve” e bashkëpunimi për të “mbrojtur e promovuar së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë sociale, vlerat morale, paqen e lirinë” (Nostra Aetate, n.3).RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.