2006-09-16 15:01:56

Lajme nga Kisha në botë. Më 11 shtator në Kinë u arrestua ipeshkvi i Zhouzhi, Imzot Martin Vu Qinjing.


(17.9.06. RV) Megjithë presionet e Pekinit, prelati kishte kremtuar një Meshë solemne, duke mbajtur në kokë kësulën ipeshkvnore e në gisht, unazën baritore, simbol i dukshëm i besnikërisë ndaj Papës e Selisë së Shenjtë.
Rreth orës 10 të darkës së 11 shtatorit- sipas njoftimit të agjensisë PIME, që shfrytëzon një burim vendas, 30 policë kapërcyen murin e banesës së prelatit dhe e arrestuan, pa kurrfarë akuze. Për të hapur rrugën, policia keqtrajtoi edhe një meshtar 80 vjeç e disa murgesha.
Kujtojmë se prelati është shuguruar në tetor 2005 nga ipeshkvi i ndjerë i Xianit, imzot Li Duan, në kundërshtim me dëshirën e qeverisë, që dëshironte një ipeshkëv tjetër. Prandaj nuk është hera e parë që keqtrajtohet nga qeveria, e cila ka bërë çmos ta largojë nga misioni i tij. Ky trajtim që i bëhet – komenton agjensia AziaNjuz – është i denjë për terroristët e i bën të qajnë njerëzit që duan paqen. Prandaj AziaNjuz i fton të gjithë besimtarët të luten për kthimin e shpejtë të ipeshkvit kinez në dioqezen e tij, ku e presin 60 mijë katolikë. Dioqeza ka 200 kisha, 54 meshtarë, 120 seminaristë e 208 murgesha.

“Udhëheqësit fetarë janë prijës të ndërgjegjes të njerëzve”. Këtë pohoi kardinali Etçegarai, kryetar nderi i Këshillave Papnore ‘Drejtësi e Paqe’ dhe ‘Cor Unum’, me rastin e Kongresit II të udhëheqësve fetarë botëror e tradicionalë, që përfundoi të mërkurën e kaluar në Astana të Kazakistanit.
Qëllimi i takimit, në të cilin morën pjesë përfaqësues të Krishtërimit, të Islamit, të Hebraizmit, të Budizmit, të Taoizmit e të Shintoizmit, ishte për të krijuar një kanal të përhershëm dialogu, për të forcuar sigurinë ndërkombëtare e për të pasuruar kontributin e feve për paqen dhe bashkëjetesën e shoqërive të sotme shumetnike e shumfetare.

Atë Saad Syrup Hanna, meshtar kaldè i Bagdadit, u lirua të hënën e kaluar pas një muaji sekuestrimi në Irak.“Zoti ishte me mua” – tregoi meshtari, që po përgatitej të nisej për të vijuar studimet në Romë me ndihmën e Lëvizjes “Ndihmë për Kishën që vuan”. Në vijim i fali ata që e sekuestruan dhe i falënderoi besimtarët nga e gjithë bota që u lutën për lirimin e tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.