2006-09-16 15:00:24

Koment i Atë Lombardit për shtegtimin e Benediktit XVI në Bavari.


(17.9.2006 RV) Për një sintezë të shtegtimit të Papës në vendlindje, të dëgjojmë drejtorin tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardin, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Them se ky shtegtim u realizua si s’ka më mirë dhe iu përgjigj plotësisht asaj çka pritej nga Papa, si përsa i përket Kishës vendase, ashtu edhe për gjithë banorët e Bavarisë. Atmosfera e pritjes ishte ditë pas dite gjithnjë më e ngrohtë e Papa u prek thellë nga përzemërsia e njerëzve të tokës së vet.

Pyetje: - Edhe në këtë shtegtim Benedikti XVI nuk bëri lista gjërash të ndaluara. Feja – theksoi – nuk është një grumbull ndalimesh, është opcion pozitiv…

Përgjigje: - Po, sigurisht. Ishte një mesazh jashtzakonisht inkurajues e sidomos për Kishën vendase, e cila jeton në një kohë kur shoqëria vijon të shekullarizohet; e prej këndej, mund të themi se kumtimi i fesë nuk është i lehtë. Papa u dha zemër të gjithëve: meshtarëve e diakonëve, mbarë veprimtarëve baritorë e sidomos besimtarëve, ta bëjnë të ndjeshme praninë e tyre në shoqërinë e sotme, duke e inkurajuar atë. Shumkush më tha se ndikimi i mesazhit papnor do të ndjehet edhe më shumë në të ardhmen. E është e natyrshme. Këtu donte të arrinte edhe tema e shtegtimit: “Kush beson, nuk është kurrë vetëm”- donte ta bënte të dukshme bukurinë dhe pasurinë e bashkimit në besim, prej nga për mbarë bashkësinë krijohet mundësia e dialogut, e shërbimit, e pasurimit, që burojnë nga feja e vërtetë.

Pyetje: - Papa foli përsëri për arsyen dhe arsyetimin e fesë kundër të gjithë integralizmave dhe irracionalizmave, si fetare, ashtu edhe kulturore. Feja – tha Ati i Shenjtë – propozon një iluminizëm të vërtetë….

Përgjigje: - Po, duket se kjo po bëhet, me kalimin e kohës, edhe një nga temat udhëheqëse të kësaj papnie, të magjisterit të Benediktit XVI. Feja e arsyeja pasurojnë njëra- tjetrën e feja, ideja e drejtë mbi Zotin duhet ruajtur nga zvetënimi.

Pyetje: - Ç’mund të themi në këndvështrimin ekumenik të shtegtimit?

Përgjigje: - Shtegtimi pati çastin e vet ekumenik posaçërisht të rëndësishëm: Lutjet mbrëmësore në katedralen e Regensburgut. Por mund të pohojmë se i gjithë shtegtimi pati domethënie ekumenike, sepse u përqëndrua tek feja në Hyjin; e në cilin Hyj? Në Hyjin e Jezu Krishtit, në Hyjin që u zbulua në Jezu Krishtin. Në Hyjin që është dashuri. Këto janë themele absolutisht të përbashkëta të fesë së krishterë. Kumtimi i Benediktit XVI ishte plotësisht i pranueshëm për të gjitha Kishat e konfesionet e krishtera.

Pyetje: - Së fundi, ç’mbetet në zemër nga ky shtegtim i Papës në Bavari?

Përgjigje: - Besoj se për Papën mbetet gëzim i madh, sepse mori forcë, hov nga rrënjët e veta në fe; për Kishën vendase, inkurajim e për Kishën dhe kulturën gjermane, kontribut për reflektim mbi rëndësinë e dialogut të vërtetë ndërmjet fesë e arsyes. E ky reflektim mund të shtrihet në gjithë kulturën evropiane, për të mirën e shoqërisë moderne. Duke shikuar, pastaj, mbarë botën, krijon mundësinë e dialogut me kulturat e tjera që, siç e vuri në dukje Papa, e ndjejnë fenë si diçka thellësisht të rëndësishme e që prandaj mund të hyjnë në dialog të frytshëm me ne, në se edhe ne e respektojmë përmasën fetare të njeriut e të kulturës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.