2006-09-15 18:53:48

Është keqkuptuar fjalimi i Papës mbi Islamin. Sqarim i Atë Lombardit, pas protestave të disa përfaqësuesve myslimanë.


(15.9.2006 RV)Papa nuk ka pasur kurrë asnjë qëllim për të fyer ndjenjat fetare të myslimanëve; përkundrazi, ushqen ndaj fesë së tyre, ashtu si ndaj feve të tjera, ndjenja respekti e dialogu. Këto janë, përmbledhtas, fjalët që tha dje Atë Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, lidhur me interpretimin që i kanë bërë disa vende fjalimit të Benediktit XVI në Universitetin e Regensburgut, më 12 shtatorin e kaluar, gjatë shtegtimit të tij në Bavari, që përfundoi dje. Në botën myslimane vijuan edhe sot protestat, lindur pas keqkuptimit të fjalimit të Papës. Por, të dëgjojmë sqarimin e Atë Lombardit:
“Lidhur me reagimet e përfaqësuesve myslimanë rreth disa fragmenteve të fjalimit të Atit të Shenjtë në Universitetin e Regensburgut, është e nevojshme të vëmë në dukje se – siç vërehet nga një lexim i vëmendshëm i tekstit – ajo që Papa ka për zemër, është refuzimi i qartë e rrënjësor i përligjjes fetare të dhunës. Sigurisht Ati i Shenjtë nuk e kishte ndër mend të bënte një studim të thelluar mbi xhihadin e mbi mendimin mysliman që lidhet me të, e aq më pak të fyente ndjenjat e besimtarëve myslimanë. Përkundrazi, në fjalimet e mbajtura gjatë shtegtimit në Bavari, Ati i Shenjtë e qorton hapur kulturën perëndimore, duke e ftuar të heqë dorë nga përbuzja e Zotit dhe nga cinizmi, që e konsideron talljen me gjërat e shenjta si një të drejtë të lirisë (Fjalimi i 10 shtatorit), ndërsa thekson se qëndrimi i drejtë ndaj përmasës fetare, është kusht themelor për një dialog të frytshëm me kulturat e mëdha e me fetë e botës. Pikërisht në përfundimet e fjalimit të mbajtur në Universitetin e Regensburgut, Benedikti XVI pohoi : ‘Kulturat thellësisht fetare të botës, pikërisht në përjashtimin e hyjnores nga universaliteti i arsyes, shohin një sulm që u bëhet bindjeve më intime. Arsyeja e shurdhër përballë hyjnores, që e kufizon fenë në fushën e nënkulturave, është e paaftë të dialogojë me kulturat’. Është e qartë, pra, se Ati i Shenjtë dëshiron të shprehë respektin dhe të nxisë dialogun me fetë dhe kulturat e tjera, e natyrisht edhe me Islamin.

Për të na sqaruar më tej për këtë atmosferë, intervistuam Atë Justo Lakuncën, ish-rektor i Institutit Papnor të Studimeve Arabe dhe të Islamistikës:
Përgjigje: - Papa ka nënvizuar vetëm se dhuna ose lufta nuk mund të kenë themel fetar. E lidhur me këtë, Ati i Shenjtë s’ka bërë tjetër, veçse ka përsëritur ndjenjat dhe dëshirat e miliona myslimanëve të cilët, në një mënyrë a në një tjetër, thonë: nuk mund të lidhen dhuna me Islamin. Ne jemi myslimanë dhe dëshirojmë të jemi besimtarë myslimanë në botën e sotme, por duke iu kundërvënë atyre që e përdorin fenë për të sulmuar të tjerët me dhunë. Papa, sipas meje, është bërë zëdhënës i miliona e miliona njerëzve në botë, edhe myslimanë, që mendojnë se është plotësisht e papranueshme të lidhet dhuna me fenë. Feja nuk mund të jetë baza e kurrnjë konfliktit, e kurrnjë lufte, e kurrnjë forme të dhunës, e kurrnjë sulmi që synon t’i zhdukë të tjerët.
Pyetje: - Atë Lakunca, pse reaguan kështu disa përfaqësues të Islamit?
Përgjigje: - Për dy arsye. Së pari, sepse bota islamike dhe myslimanët janë tepër, tepër të ndjeshëm ndaj të gjithë atyre që flasin për Islamin, posaçërisht kur nuk i përkasin fesë myslimane. Arsyeja e dytë është se Papa preku një pikë tepër delikate, atë të dhunës e të luftës. Mund të themi se këto janë dy arsyet për të cilat bota islamike - nga Egjipti në Turqi, nga Evropa, në vendet tjera myslimane, reagoi në këtë mënyrë.








All the contents on this site are copyrighted ©.