Duke shfletuar kalendarin e 15 shtatorit, Kisha katolike përkujtoi Zojën e Dhimbshme.
(15.9.2006 RV)Po ndalemi tek tradita e këtij kujtimi liturgjik, duke pasur
parasysh se shumë besimtarë e ndjekin me devocion të thellë këtë të festë. Ç’ na tregon
kjo traditë? Përgjigje: - Festa që kremtojmë sot lindi nga Urdhëri i Shërbëtorëve
të Marisë në shekullin XVII e pikërisht në vitin 1714. Nisi të kremtohej në të dielën
e tretë të shtatorit. Me reformën e Piut X, kremtimi u shty më 15 shtator, për t’i
lënë hapësirën e duhur liturgjisë të së dielës. Pyetje: - Cila është domethënia
shpirtërore e këtij përkujtimi liturgjik? Përgjigje: - Domethënia e këtj
kujtimi liturgjik mund të kuptohet nën hijen e Lartimit të Kryqit. Festa e dhimbjes
së Zojës së Bekuar, nuk ka të bëjë me një dhimbje që dërmon; është dhimbje shëlbuese,
që vepron - ashtu si kryqi i Zotit nuk është thjeshtë kryq i atij që vuan, por kryq
i Atij që shpëton e që mbart mbi vete peshën e mëkateve të mbarë njerëzimit. Kështu
edhe Maria, që merr pjesë në veprën shpërblyese të Krishtit, është nën hije të kryqit
dhe e bashkuar me Kryqin e të Birit. Pyetje: - Maria ishte deri në fund
tek këmbët e Kryqit. Askush më mirë se Ajo nuk mund të na mësojë ta marrim mbi supe
kryqin tonë e të ndjekim pas Jezusin…. Përgjigje: - Së pari, ky është këndvështrim
teologjik. Koncili II i Vatikanit na jep këtë figurë të Virgjërës Mari pranë kryqit:
“Kështu Virgjëra Mari eci në shtegtimin e fesë dhe e ruajti të paprekur besnikërinë
e saj ndaj të Birit deri në kryq ku, jo pa ndërmjetsinë e planit hyjnor, ndenji duke
vuajtur thellësisht së bashku me të Birin, duke bashkëjetuar me shpirtin e nënës,
flijimin e Tij e duke e pranuar me dashuri, theroren e flijës që ajo vetë e kishte
lindur. E, në fund, nga goja e Birit që po jepte shpirt, dëgjoi fjalët që e bënë Nënë
të të gjithëve: ‘Grua, ja biri yt!’. Prandaj mund të themi se figura e Virgjërës Mari
pranë kryqit është ikonë e fuqishme e Asaj që, së bashku me Birin, jo vetëm që merr
pjesë në shëlbim, por i pranon të gjithë njerëzit si bij në zemrën e vet amtare. E
atëherë nuk mund të mos na lindë pyetja: ‘Ç’lidhje ka ndërmjet Virgjërës Mari tek
këmbët e kryqit e kryqit tonë?’. Ka shumë lidhje e kuptim. Na tregon se edhe ne së
bashku me Të, mund të marrin pjesë, përmes Kishës, në misterin e shëlbimit të botës,
duke e mbartur me Jezusin kryqin tonë të përditshëm.