2006-09-14 17:50:13

Në përfundim të shtegtimit në Bavari, Papa i ftoi gjermanët ta dëshmojnë gëzimin e fesë në Krishtin në shoqërinë e shekullarizuar.


(14.9.2006 RV) “Kush beson nuk është kurrë vetëm: dëshmojeni besimin tuaj në dashurinë e Zotit në botën aktuale të shekullarizuar” – me këto fjalë Benedikti XVI përshëndeti Bavarinë në përfundim të shtegtimit të katërt apostolik të papnisë së tij. Avioni papnor arriti në aeroportin e Munihut pak pas orës 13. 00; në aeroprtin Roma-Çampino, në sa kishte filluar një shi i imtë, në orën 14. 30. Për ta pritur Atin e Shenjtë, ndërmjet autoriteteve të tjera shtetërore e kishtare, kishin dalë zevendës-kryeministri i Republikës italiane, Françesko Ruteli dhe kardinali-vikar Kamilo Ruini. Papa u largua nga aeroporti italian rreth orës 14. 54 në bordin e automobilit papnor numër 1 të Vatikanit dhe arriti në Kastel Gandolfo.
Por të kthehemi në Bavari, për t’u njohur me veprimtaritë e ditës së fundit të vizitës së Papës: paradite Ati i Shenjtë mori pjesë në takimin me meshtarët e diakonët e përhershëm në Katedralen e Frizingës e më pas, në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin e Munihut.
Ditë plot gëzim e njëkohësiht emocione ishte për Benediktin XVI dita e fundit e vizitës në Atdhe, në Bavari. Papa i la mesazhin e fundit Gjermanisë, duke e përqendruar reflektimin e tij në temën e punës, pikërisht sot, në 25-vjetorin e botimit të Enciklikës “Laborem exercens” të Gjon Palit II. Papa ia besoi këtë tekst me vlera profetike, tokës së vet, i sigurtë se nga zbatimi i tij konkret, mund të arrihen shumë përfitime edhe në situatën e sotme shoqërore të Gjermanisë. Puna – nënvizoi Benedikti XVI, duke cituar Enciklikën – është pasuri për njeriun; përmes saj njeriu jo vetëm që e shndërron natyrën duke ia përshatur nevojave të veta, por realizon edhe vetveten si njeri, madje, në një farë mënyre, bëhet më njeri.
Shenjtëria e Tij e falënderoi Bavarinë për shtegtimitn e sapo përfunduar me fjalët:
“Munda të kuptoj se sa shumë njerëz në Bavari, përpiqen edhe sot të ecin në rrugët e Zotit, në bashkim me barinjtë e vet, duke u impenjuar ta dëshmojnë fenë e tyre në botën aktuale të shekullarizuar. Falë përkushtimit të palodhur të organizatorëve, gjithçka u krye me qetësi e rregull”- tha Papa.
E ndërsa populli brohoriste në kor: “Benedikt, Benedikt” – Ati i Shenjtë shtoi: “Ishin ditë të ngarkuara me veprimtari, kudo u mikprita me dashuri e vëmendje, që më prekën thellë në shpirt”.
Si u përshëndet nga presidenti federal Edmund Shtoiber me një “Mirupafshim!”, Benedikti XVI u largua nga toka e tij me fjalët e Himnit Bavarez:
“Zoti qoftë me ty, Vend i bavarezëve,
tokë gjermane, Atdhe!
Mbi trojet tua pushoftë
dora e tij bekuese.
Zoti t’ i mbrojtët fushat e gjëra
e strehët e qyteteve tua!
I ruajtët mbi ty gjithmonë
bardhësi e kaltërsi,
ngjyrat e qiellit të Tij.
***
Paradite Papa u takua me meshtarët e diakonët në katedralen e Frizingës. Pikërisht këtu Ati i Shenjtë u shugurua meshtar më 29 qershor 1951. Ishin të pranishëm në takim disa bashkëvëllezër që pikërisht atë ditë i thanë Zotit “po”, duke nisur rrugën e shërbimit meshtarak. Papa i çuditi të gjithë, duke folur pa tekst. “Solla me vete një tekst të gjatë – tha Ati i Shenjtë – por nuk do ta lexoj, e keni shtypur, mund ta lexoni kur të nisem”. E pas këtyre fjalëve, preku temën e thirrjeve, duke filluar nga mungesa e meshtarëve në Kishë. Si citoi fjalët e Krishtit: “Të korrat janë të shumta, por korrësit, të pakët”, Papa i porositi të pranishmit ta lusin të Zotin e të korrave, Hyjin. Ftesa e Jezusit është e qartë – theksoi Papa – Ai nuk na ka ngarkuar me detyrën të shkojmë e të thërrasim vullnetarë, ose të organizojmë fushata për të rekrutuar ushtarë të rinj. Krishti na kërkon të lutemi. E ne duhet ta lusim t’i zgjojë zemrat e njerëzve, pa harruar se edhe fryti i veprimtarsië baritore varet nga lutja. Përndryshe bëhet thjeshtë aktivizëm. Benedikti XVI nënvizoi edhe virtytet kryesore që duhet të ketë meshtari, ndërmjet të cilave, equilibrin, zellin e përvujtërinë. Zelli na shtyn të shkojmë drejt vëllezërve nevojtarë, të jemi apostuj të Krishtit; përvujtëria na bën të njohim kufizimet tona, në mënyrë që zelli të mos na shkatërrojë. Është e vërtetë se duhet të bëjmë shumë gjëra – komentoi Ati i Shenjtë – kjo vlen për meshtarët, por edhe për vetë Papën. Edhe unë duhet të bëj shumë gjëra, por kam pak forca. Gjithçka tjetër duhet t’ia lë Zotit. Këtu Benedikti XVI i lartoi Zotit lutjen:
“Ti e di se Kisha është jotja. Na dhuro, prandaj, bashkëpunëtorë për veprën tënde. Atje ku nuk arrijmë ne, e dimë, je ti”Së fundi ritheksoi me forcë moton e këtij shtegtimi: “Kush beson, nuk është kurrë vetëm, nuk jemi vetëm, jemi miq të Krishtit”. E këto fjalë vijonë të jehojnë në katedralen e Frizingës, ku u shqiptuan, në trojet e Gjermanisë, në Kishën universale e në gjithë hapësirat e botës së trazuar të ditëve tona, që ndjehet vërtetë e vetmuar, kur harron Zotin”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.