2006-09-14 19:04:55

Mbrëmë ndërroi jetë dhe sot u varros Dom Jak Prenku, meshtar në Mitrovicë


(14.9.2006 RV) Mbrëmë më 13 shtator ndërroi jetë në moshën 62-vjeçare meshtari katolik i Mitrovicës Dr. Dom Jak Prenku, ndërsa sot u bë edhe varrimi i tij. Dom Jaku ishte doktoruar në teologji në Romë para gati dyzet viteve dhe ka shërbyer për mëse 20 vite në Kishën Katolike "Zonja e Fatimës" të Mitrovicës. Edhe pse kohëve të fundit pati lënguar nga sëmundja e sheqerit, aktiviteti i tij kishtar dhe përgjithsisht shoqëror ka qenë shembullor.
Ndër personalitetet publike në Mitrovicë prifti Don Jak Prenku ka qenë personi më shembullor për vizionin, guximin dhe intelektin e tij. Aktiviteti i tij ka qenë i përqëndruar në krijimin e paqes e tolerancës në një ambient skajshmërisht të polarizuar siç ishte Mitrovica e pasluftës. Edhe pse bashkësia katolike në Mitrovicë është numerikisht e vogël Dom Jak Prenku ishte i pari në çdo aktivitet gjithëpopullor në këtë qytet. Vdekja e Dom Jakut është një humbje e madhe për Kishën Katolike të Kosovës dhe për Mitrovicën.
Varrimi i Dom Jakut u bë sot në Ferizaj pranë prindërve të të ndjerit, pas Meshës së Dritës të udhëhequr nga i gjithë kleri katolik i Kosovës.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.