Kalendari Kishtar i 14 shtatorit, përkujton Naltimin e Shëna Krygjës.
(14.9.2006 RV) Kisha kremtoi sot solemnitetin e Naltimit të Shëna Krygjës,
festë që e ka zanafillën në Jeruzalem më 14 shtator të vitit 335. Këtë ditë u shuguruan
ndërtesat e ngritura nga Perandori Kostandin për të mbrojtur e për të nderuar viset
ku Jezu Krishti përmbushi misterin e vet të Pashkëve, misterin e vdekjes e të ngjalljes.
Shumë reflektime janë bërë e vijojnë të bëhen për misterin më të madh të fesë së krishterë.
Ndërmjet tyre, po kujtojmë sot reflektimin e Benediktit XVI në Këln drejtuar të rinjve
të mbarë botës dhe reflektimin e Gjon Palit II: “Zoti në këtë botë nuk bën konkurencë
me format tokësore të pushtetit. Nuk u kundërvë përçarjeve, përçarje të reja. Jezusit
në Kopshtin e Ullinjve Zoti nuk i çon dymbëdhjetë legjone engjëjsh për ta ndihmuar.
Pushtetit të potershëm e prepotent të kësaj bote, Krishti i kundërvë pushtetin e çarmatosur
të dashurisë, që vdes mbi Kryq e, megjithatë, krijon një gjë të re, hyjnore, e cila
pastaj i kundërvihet padrejtësisë dhe ngre mbretërinë e Hyjit”. E Gjon Pali II
në “Letrën drejtuar familjes”, duke u frymëzuar nga Paskali, nënvizon: “Krishti hyri
në botë me kryq. Kryqi është simboli i shpërblimit e i shëlbimit, por edhe paradigma
e jetës të të krishterit”. Në ditën e festës së Naltimit të Krygjës ne e shikojmë
Kryqin si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen
për t’iu afruar lumnisë së qiellit, duke pasur gjithnjë parasysh fjalët e Shën Palit
drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti
që jeton në mua”. Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit,
sepse Kryqi është më i fuqishëm e më i madh se të gjitha pushtetet e botës: është
shenjë e fitores mbi vdekjen. Kryqi bëhet kështu lavdi. Zoti lumnohet pikërisht
në çastin kur i Biri kryqëzohet. “Në kryq – shkruan Shën Leoni papë – është gjykata
e Zotit, aty bëhet gjykimi i botës, zbulohet pushteti i të Kryqëzuarit”. Kryqi është
gjykata më e madhe e botës, por edhe fillimi i pushtetit të Krishtit mbi botën dhe
mbi historinë e njerëzimit. Kur të duket se gjithçka ka marrë fund, në të vërtetë
gjithçka fillon. Me të drejtë liturgjia e naltimit të Kryqit këndon në Meshë: “Krygjë
e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës.
Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë
si gurë të çmuar”. I madh është misteri që përkujtojmë sot, aftësia për të dhuruar
vetveten në Kryq, mister i dashurisë, të cilin është tepër e vështirë ta kuptosh në
të gjithë thellësinë e tij! Një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në
mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”.