2006-09-13 17:55:21

Ditën e sotme, pasi përuroi organon e Alte Kapelle të Regensburgut, Benedikti XVI ia kushtoi kujtimeve familjare. Pasdite u lut tek varret e prindërve dhe vizitoi Pentlingun.


(13.9.2006 RV)Dita e sotme, pas takimeve dhe fjalimeve të shumta të Papës gjatë 24 orëve të mëparshme, ishte më pak e ngarkuar me impenjime, për t’i lënë vend kujtimeve e ndjenjave personale. Sot, në paraditen e dytë të kaluar në Regensburg, Benedikti XVI pati vetëm një takim publik: atë të përurimit të organos së re të Alte Kapelle, vend shumë i lashtë kulti, ku ruhet një figurë e mrekullueshme e Virgjërës Mari, që mendohet të jetë pikturuar nga Shën Luka Ungjilltar. Ky rast i krijoi Papës mundësinë ta krahasonte muzikën kishtare me vetë jetën e Kishës në të cilën – pohoi Benedikti XVI– duhet gjetur gjithnjë “përkimi ndërmjet lumnimit të Zotit e dashurisë vëllazërore”. Këto janë fjalët që shqiptoi Ati i Shenjtë duke përuruar organon e re në Kapelën e lashtë të Regensburgut. Është një nxitje për bashkësinë e krishterë që, përmes figurës së organos, në të cilën një dorë e mësuar i rikthen keqtingëllimet në bashktingëllim, të mësojë harmoninë dhe bashkimin. Këtë koncept Papa e përsëriti edhe në lutjen e bekimit:
“Ashtu si shumë tinguj
bashkohen në një tingull të vetëm,
bashkoi, po të lutemi
të gjithë anëtarët e Kishës
në një dashuri të vetme vëllazërore.

 
Që të këndojmë një ditë
së bashku me të gjithë engjëjt e shenjtorët
lavdinë tënde,
këngën e lumnisë së pasosur:
“Nëpër Krishtin Zotin tonë”.
Më pas Papa kujtoi edhe rëndësinë e muzikës kishtare në liturgji. Duke cituar Kushtetutën mbi Liturgjinë kishtare të Koncilit II të Vatikanit, theksoi:
“Kënga kishtare, e bashkuar me fjalët, është pjesë e nevojshme dhe e pandarë e liturgjisë solemne e jo zbukurim kulti, as shtesë që shërben si kornizë për ta bërë të këndshme liturgjinë”.
Kënga dhe muzika janë një mënyrë e rëndësishme e pjesëmarrjes aktive në ngjarjen e kultit. Organo, mbreti i veglave muzikore, sepse riprodhon tërë tingujt e gjithësisë – tha në përfundim Papa – i bën të rikumbojnë plotësisht të gjitha ndjenjat njerëzore.
Menjëherë pas përurimit të organos, që u quajt me emrin e Papës, realizuar nga një ndërmarrje zvicerane, një organist luajti Tokatën dhe Fugën e famshme të Johan Sebastian Bahut.
E ky ishte takimi i vetëm në publik që pati Benedikti XVI në ditën e sotme, kushtuar kryesisht kujtimeve private. Para se të shkonte në Kapelën e lashtë, Ati i Shenjtë kremtoi Meshën në Seminarin e Madh, ku kaloi edhe natën, e ku më pas kremtoi edhe Liturgjinë e orëve në kapelën e institutit, së bashku me të vëllanë, monsinjor Georg Racinger. Pastaj bisedoi gjatë me familjarë, miq e dashamirë.
Pas përurimit të organos, i ndjekur nga një turmë e madhe njerëzish, të cilët i pëshëndeti përzemërsisht, duke u ndaluar herë pas here për të përkëdhelur fëmijët, Papa shkoi në shtëpinë e të vëllaut, ku ishte i ftuar për drekë.
Pasdite të dy vëllezërit vizituan varrezën e Ziegetsdorfit, ku u lutën pranë varreve të babait, Jozef Racinger (1877-1959), të nënës, Maria Rieger (1884-1963) e të motrës, edhe ajo me emrin Mari, vdekur në vitin 1991 në moshën 70 vjeç e varrosur pranë prindërve. U ndaluan më pas në Kishën e afërt të Shën Jozefit.
Pastaj Benedikti XVI u nis për në Pentling, 4 kilometra larg nga Regensburgu, ku pati banuar gjatë kohës kur jepte mësim në universitet. Është një qytezë pak më vogël se Vatikani, me një sipërfaqe 32 kilometra katrore, me disa qindra banorë. Pikërisht këtu Jozef Racinger pati dëshiruar të tërhiqej për të studiuar e për të shkruar, si t’i pranohej kërkesa për dorëheqje, paraqitur Gjon Palit II në vitin 2002, pasi pati mbushur 75 vjet. Siç dihet, Papa Vojtila nuk e pranoi kërkesën për dorëheqje, duke ia besuar përsëri Jozef Racingerit detyrën e prefektit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Tri vjet më pas kardinali bavarez u zgjodh në katedrën e Shën Pjetrit e kështu dëshira për t’u kthyer në shtëpi, u kufizua me vizitën prej disa orësh që bëri sot në shtëpinë e thjeshtë të Pentlingut, ku darkoi së bashku me të vëllaun, para se të rikthehej në Seminarin e Madh të Regensburgut.Popullsia e priti me një entuziazëm të jashtzakonshëm qytetarin e vet të dikurshëm, duke hprehur kënaqësinë që e vlerëson këtë vend, me të cilin ka mbetur aq i lidhur, sa të ndjekë nga afër të gjitha ngjarjet e tij edhe tani që është larg. Këtë e dëshmoi gjatë një audience private me banorët, që sot e ndjenë veten vërtetë krenarë për qytetarin e tyre të nderit. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.