Papa: Urime të gjitha grave që quhen Mari. Sot kalendari Kishtar kremtoi Emrin e Zojës
Mari.
(12.0.2006 RV)Në festën e sotme kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve
pranë Zotit, Papa Racinger, nga elteri i Meshës së kremtuar në Regensburg të Bavarisë,
i uroi të gjitha gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, nënën dhe
motrën e tij, që mbanin këtë emër. Kujtojmë se festa kushtuar Emrit të shenjtë
të Marisë u kremtua për herë të parë, me lejën e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin
1513. E ndërprerë nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit
V e më pas u shtri edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur
Gjon Sobieski me polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vienën,
duke kërcënuar krishterimin, i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë
Zotit, e shtriu festën në mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën
para Tetëditshes së Krishtlindjes. Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më 12 shtator,
kur vijon të kremtohet edhe sot. Në historinë ezegjezit ka pasur shumë shpjegime
për kuptimin e emrit Mari. Një prej tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’. Këtë
shpjegim e japin disa Rabinë, të cilët e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR, që
në hebraishte do të thotë “të jesh i hidhur”. Sipas tyre shpjegohet kështu nga Maria,
motra e Moisiut, që u quajt me këtë emër, sepse kur lindi, Faraoni nisi ta bëjë gjithnjë
më të hidhur jetën e hebrenjve. Edhe ne, të krishterët, mund ta pranojmë këtë
shpjegim, duke pasur parasysh hidhërimin e thellë që përballoi Virgjëra Mari në rrugën
e Kryqit për shëlbimin tonë. Shpjegime të tjera janë: “Mësuese e Zonjë e detit”,
nga hebraishtja Moreh (Zonjë) dhe Yam (det), gjithnjë lidhur me Marinë, motrën e Moisiut,
që ishte mësuese e grave hebreje kur kalonin Detin e Kuq. Virgjëra Mari është
Mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin na bën ta kapërcejmë duke na shoqëruar
drejt qiellit. “Ndriçuese, Yll i detit”, nga parashtesa hebraike emërore
M + Or (dritë) + Yam (det). “Shi stinor” – nga hebraishtja Moreh – shiu
i parë i stinës. Maria konsiderohet si ajo që resh nga qielli një shi hiresh. “Lartësi”
nga hebraishtja Marom – Lartësi qiellore. Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka
vizituar një diell që lind “nga lart” e kjo fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga
Maria”. Cila është më e drejta nga të gjitha këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore
na la në dyshim, që në emrin e Marisë të gjejmë njëkohësisht të gjitha kuptimet që
na shtjellon analogjia e fesë .