2006-09-12 18:09:26

Papa teolog, në takim me botën akademike në Regensburg, fton Islamin dhe Përendimin të dialogojnë për të gjetur drejtpeshimin e fesë që nuk shkëputet nga arsyeja.


(12.9.2006 RV)Sot pasdite Papa Racinger shkoi në Universitetin e Regensburgut, ku u prit nga rektori, Profesor Alf Cimer, i cili e shoqëroi në Aula Magna, duke kaluar nëpër mjediset e fakultetit të Teologjisë, ku e priste një përfaqësi studentësh. Kujtojmë se Universiteti i Regensburgut u përurua më 20 nëntor 1965, ndërsa leksionet filluan në vjeshtën e vitit 1967 në tre fakultete. Sot Universiteti numron 25 mijë studentë që ndjekin 12 fakultete, ndërmjet të cilëve, teologjia katolike, ku Kardinali Racinger ka qenë titullar i katedrës së dogmatikës dhe zevendës-rektor në vitet 1969- 1971.
Takimi filloi me një festë muzikore, pasuar nga përshëndetja e mirëseardhjes, mbajtur nga Profesor Cimer.
Në fjalimin e gjatë prej 17 faqesh, drejtuar përfaqësuesve të shkencës në Universitetin e Regensburgut, të cilin e quajti “leksion universitar”, Ati i Shenjtë vuri në qendër të vëmendjes ballafaqimin e krishterimit me problemet e shoqërisë evropiane e botërore. Papa Racinger e nisi fjalimin me kujtimet personale të kohës kur jepte mësim në këtë vend, në vitin 1959, kur për katedrat nuk ekzistonin as asistentë e as daktilografë, mungesë që e plotësonte lidhjet e drejtpërdrejta ndërmjet studentëve e profesorëve.
Tema qëndrore e fjalimit ishte ajo e fesë dhe e arsyes si dhe e rolit themelor të takimit ndërmjet tri Ligjeve: “Besëlidhjes së Vjetër”, “Besëlidhjes së Re” dhe “Kuranit”. Duke kujtuar se kohët të fundit ka lexuar dialogun e perandorit bizantin Manueli II Paleologu me një persian që e njihte mirë krishterimin, Papa preku temën e xhihadit (luftës së shenjtë), duke u ndalur tek ligjet e Kuranit mbi këtë luftë dhe tek pohimi i Perandorit, i cili shpjegon me hollësi arsyet pse përhapja e fesë me anën e dhunës është e paarsyeshme. Dhuna është në kundërshtim me natyrën e Zotit e natyrën e shpirtit. Për të bindur një shpirt të arsyeshëm, nuk është e nevojshme të përdorësh as krahun e as ndonjë mjet tjetër, që e frikëson njeriun për vdekje – tha Papa - e më pas foli për shkrimin e një islamisti, i cili arrin deri atje, sa të deklarojë se Zoti nuk është i lidhur as me vetë fjalën e vet e se asgjë nuk e detyron të na e zbulojë të vërtetën. Në se do të ishte vullneti i tij- pohon islamisti - njeriu do të mund të bëhej edhe idhujtar. Papa e preku këtë temë për të treguar se e njeh mirë problemin e islamit sot, por pjesën kryesore të fjalimit ia kushtoi vështirësive të brëndshme të mendimit evropian, të cilat e dobësojnë atë në mënyrë të ndjeshme. I vetëdijshëm për tensionet në kuadrin e mendimit të krishterë gjatë historisë, Benedikti XVI nënvizoi se feja e Kishës ka pasur gjithnjë bindjen se ndërmjet Zotit e nesh, ndërmjet Shpirtit të Tij të përjetshëm krijues e arsyes sonë ekziston një ngjashmëri e vërtetë. Hyji vërtetë hyjnor është ai Zot që u shfaq si logos (Fjala) e si logos edhe veproi e vepron plot dashuri në favor tonë. Duke shpjeguar lidhjet ndërmjet trashëgimisë greke, të spastruar me frymë kritike, dhe mendimit të krishterë, Papa analizoi tri valë në programin e diz-helenizimit të krishtërimit: Reformën e shekullit XVI, teologjinë liberale të shekujve XIX-XX dhe diz-helenizimin e ditëve tona.
I gjithë fjalimi, larg çdo kritike negative, ishte një zgjërim i konceptit të arsyes e të përdorimit të saj. E kjo – nënvizoi Ati i Shenjtë – sepse, duke vërejtur me gëzim mundësitë e reja që i krijohen njeriut, nuk mund të mos vërejmë edhe kërcënimet që burojnë nga këto mundësi e nuk mund të mos përpiqemi t’i frenojmë. E kjo mund të arrihet vetëm në se arsyeja dhe feja ribashkohen në një mënyrë të re. Në këtë kuptim teologjia, jo thjeshtë si disiplinë historike e humano-shkencore, por si teologji e mirëfilltë, dmth si kërkim shkencor mbi arsyen dhe mbi fenë, duhet të ketë vendin e vet në universitet e në dialogun e gjërë të shkencave. Vetëm kështu bëhemi të aftë për dialog të vërtetë të kulturave e feve, dialog për të cilin kemi nevojë urgjente – theksoi në përfundim Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.