2006-09-12 19:43:10

Nga bota


(12.9.2006 RV)Përsëri atentate në Irak. Shtatë persona u vranë nga një sulm kundër një xhamie shiite në Khan Bani Saad, afër Bakubës, ndërsa në Bagdad pesë kalimtarë u vranë nga shpërthimi i një bombe. Nga fusha e politikës, kryeministri Al Maliki mbërriti sot në Teheran për një vizitë zyrtare. Në prag të vizitës së Malikit, kryenegociatori iranian Ali Larixhani lajmëroi se Irani është i gatshëm të pezullojë pasurimin e uraniumit për dy muaj, me kusht që OKB-ja të mos ndërmarrë sanksione.


OKB-ja i kërkoi NATO-s përpjekje dhe financime të tjera për Afganistanin. Sot në Bruksel u paraqit raporti i përvitshëm mbi armët dhe opiumin në vend dhe u nënvizua se armët dhe rrogat e talebanëve paguhen nga droga. Janë 3 milionë personat, që merren me kultivimin e drogës në Afganistan.


Duke iu drejtuar amerikanëve dje nga Shtëpia e Bardhë, me rastin e 11 shtatorit, presidenti Xhorxh Bush, në fjalimin e tij theksoi se kjo është një “betejë për civilizim”. Luftën në Afganistan, atë në Irak dhe Liban presidenti i quajti si “beteja ndërmjet tiranisë dhe lirisë”. “Lufta kundra armikut është më tepër sesa një konflikt i armatosur. Është beteja ideologjike vendimtare e shekullit të XXI.” - shtoi presidenti amerikan.


Një ditë pas fitores së zgjedhjeve në Mal të Zi, kryeministri Milo Gjukanoviq deklaroi se së shpejti mund të tërhiqet nga politika. Që prej vitit 1991, kur ishte 29 vjeç, Gjukanoviqi ka mbajtur postet e kryeministrit dhe të presidentit të republikës së vogël. “Kjo qeverisje e ka vënë Malin e Zi në rrugë të mbarë për integrim në BE-ian dhe në NATO.” - tha kryeministri Gjukanoviq, arsye e mjaftueshme kjo për të, të tërhiqet nga politika.







All the contents on this site are copyrighted ©.