2006-09-11 16:27:11

“T’i japim hapësirë Zotit në botë e në jetën tonë”: porosia kryesore e Benediktit XVI në zemrën mariane të Bavarisë.


(11.9.2006 RV)Nga Altöttingu, Benedikti XVI i porositi besimtarët të mësojnë për t’u lutur nga Maria, pa kërkuar mrekulli, por duke ia lënë Zotit të vendosë për atë që ka ndër mend të bëjë. Përgjigja e Tij është e mira jonë.
Pasi shtatorja e Zojës së Bekuar, skalitur në dru bliri, nxirë në shekuj nga tymi i qirinjve të ndezur për ndjete të panumërta njerëzish të panjohur, u mbart me procesion në elterin e madh, Papa, duke kujtuar fjalët “Zemra ime madhëron Zotin” të ‘Magnificat’, lutjes së Virgjërës Mari gjatë vizitës tek Shën Elizabeta, shpjegoi:
“Ta madhërosh Zotin, do të thotë t’i japësh hapësirë në botë, në jetën tënde, ta lësh të hyjë në kohën tonë e në veprimtarinë tonë: ky është thelbi kryesor i lutjes së vërtetë. Atje ku madhërohet Zoti, njeriu nuk bëhet i vogël: atje bëhet i madh edhe njeriu e bota bëhet e ndritshme”.
Është një nga fragmentet kryesore të homelisë që Papa mbajti sot paradite në Altötting, ku kremtoi Meshën shenjte. Në qendër të leximeve liturgjike të ditës ishte Virgjëra Mari, Nëna e Zotit, e cila – siç nënvizoi Ati i Shenjtë – i priu Kishës që po lindte në lutje dhe është gati-gati vetë Kisha që lutet.
Duke kujtuar fragmentin ungjillor të mrekullisë së Kanës, Benedikti XVI nënvizoi dy aspekte të Virgjërës Mari: nga njëra anë, nxitjen plot dashuri të burrave, nga ana tjetër nënshtrimin e plotë ndaj gjykimit të Zotit. Kjo – tha Papa – është lutja e vërtetë: të mos shprehim vullnetin tonë e dëshirat tona para Zotit, por t’ia lemë atij të vendosë për atë që ka ndër mend të bëjë:
“Nga Maria – shpjegoi Benedikti XVI - mësojmë mirësinë e njeriut që është gati të ndihmojë, por edhe përvujtërinë e bujarinë për të pranuar vullnetin e Zotit, duke i besuar plotësisht, me bindjen se përgjigja e Tij do të jetë e mira jonë e vërtetë”.
“Moj grua, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”: janë këto fjalët e Jezusit. Koha e Tij përfundimtare – tha Papa – do të jetë kthimi në fund të kohëve, por kjo kohë ndjehet vazhdimisht në Eukaristi, në të cilën vjen me ndërmjetësinë e Nënës së Kishës që lutet: “Eja, o Jezus Zot!”. Në Hosten shenjte – shtoi Papa Racinger – Krishti na pret vazhdimisht.
Në kujtim të viktimave të 11 shtatorit, besimtarët i lartuan Zotit lutjen në sheshin qëndror të Altöttingut: “Pesë vjet pas sulmit terrorist në Word Trade Center të Nju Jorkut, lutemi për paqen në botë”RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.