2006-09-10 12:45:26

Përshëndetja e Atit të Shenjtë në Mariensäule


(9.9.2006 RV)Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Benedikti XVI u nis drejt Seminarit Gregorianum e më pas drejt Marienplaz apo Sheshit të Marisë, që është zemra qytetit të Munihut. Sheshi vigan zë deri në 10 mijë vetë. Në mes të tij lartohet shtylla e Zojës së Bekuar, me shtatoren prej bronzi të praruar të Virgjërës, ngritur më 1638 nga Maksimiliani I, si shenjë falënderimi për përfundimin e pushtimit suedez në Luftën Tridhjetëvjeçare.
Këtu Papa shqiptoi lutjen drejtuar Zonjës së Bekuar, me të cilën ia besoi përsëri Bavarinë Nënës së Zotit. Kujtojmë se më 28 shkurt 1982, pasi u emërua Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Kardinali Racinger qe përshëndetur me dioqezën e Munih-Frizingës duke ia besuar Bavarinë Virgjërës Mari me një lutje të shkruar me këtë rast.
Sot, i gjunjëzuar përsëri tek këmbët e shtatores së Virgjës Mari, Papa rikujtoi se po këtu është lutur shumë herë e posaçërisht në çastet vendimtare të jetës së tij. Këtu, tridhjetë vjet më parë besimtarët e pritën plot përzemërsi si Kryeipeshkvin e tyre të ri. Asokohe – kujtoi Ati i Shenjtë – e fillova shërbimin tim me një lutje drejtuar Zojës së Bekuar. E po këtu – vijoi Papa Racinger– pesë vjet më vonë, duke qenë i thirrur nga Papa në Romë, u përshëndeta me dioqezën time, duke ia drejtuar rishtas një lutje Zojës, Pajtores së Bavarisë, për t’ia besuar mbrojtjes së saj qytetin e Atdheun tim.
Ati i Shenjtë vijoi të kthehej me kujtime në kohën kur sapo ishte emëruar Kryeipeshkëv i Frizingës, si pasardhës i Shën Korbinianos. Me Shenjtin lidhet legjenda që flet për shtegtimin e Tij në Romë, gjatë të cilit një ari ia coptoi kafshën e barrës e shenjti e dënoi t’ia mbartëte plaçkat deri Romë. Papa e vuri simbolin e ariut në qëndër të fjalimit të tij dhe, duke u nisur nga shpjegimi i Shën Agostinit dhe i Psalmit 73, e krahasoi peshën e detyrës së tij me atë të kafshës së barrës. Kafsha që tërheq parmenden – vijoi Ati i Shenjtë - është më pranë fshatarit, i cili i prin; ashtu edhe ipeshkvi, në shërbimin e tij të përvujtë, është më pranë Zotit, sepse kryen një shërbim tejet të rëndësishëm për Mbretërinë e Hyjit.
Ariu i Shën Korbinianos – tha Ati i Shenjtë - më jep gjithnjë zemër ta kryej shërbimin tim me gëzim e shpresë. Ariu i Korbianos në Romë u la i lirë – shtoi Papa - ndërsa për mua Zoti vendosi ndryshe. Pastaj, në përfundim, tek këmbët e Zojës, iu lut Nënës së Zotit të ndërmjetësojë te Zoti e ta bekojë jo vetëm qytetin e Munihut e Bavarinë, por mbarë Kishën universale dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.