2006-09-10 18:01:37

Mbi mesazhin e Papës në Munih, të dëgjojmë drejtorin tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardin.


(10. 9. 2006 RV)Përgjigje: - Mesazhi i sotëm më duket krejt i qartë; e nuk i drejtohet vetëm Bavarisë, por gjithë Gjermanisë, madje do të thosha, të gjithë neve. Duhet t’i lutemi Zotit të na i hapë përsëri veshët, për ta dëgjuar. Natyrisht mesazhi është i frymëzuar nga Ungjilli i sotëm, në të cilin një shurdhmemec shërohet nga Jezusi, në mënyrë të tillë, që të mos bëhemi edhe ne, pak nga pak, të shurdhër e të pandjeshëm ndaj zërit të Zotit në botën e sotme. Ky Zot, të cilin jemi të thirrur ta ridëgjojmë e ta ripranojmë në shoqërinë, e cila duket se po shekullarizohet, nuk është Zot çfaretdo, por Zoti i dashurisë. Këtu kemi dy elemente të magjisterit të Papës: fenë e, prej këndej, përparësinë e Zotit dashuri, sepse identiteti i Zotit është vetë dashuria. E gjithë kjo, që është edhe impenjimi i krishterë, buron natyrisht nga feja jonë, është dashuri vepruese, e cila gjen shprehjen e vet edhe në përballimin e problemeve të shoqërisë sonë me solidaritet e vëmendje ndaj njerëzve më pak të favorizuar. Është, pra, diçka që buron nga fakti se ne besojmë në Zotin, në një Zot që jep i pari shembullin e dashurisë deri në vdekje, me fjalën e Kryqit.

Pyetje: - Pritja e popullit bavarez ishte vërtetë e ngrohtë…

Përgjigje: - Po, them se dje pasdite pamë takimin e Papës me popullin e Bavarisë. Ishte takim jashtzakonisht i ngrohtë, jashtzakonisht i përzemërt, që arriti kulmin nën Shtyllën e Marisë, Mariensaule, në Sheshin e Marisë, në qendër të Munihut. Shihej qartë se Papa ishte emocionuar nga dashuria me të cilën po e priste populli i Munihut, por edhe nga kujtimet e tij personale e posaçërisht ato të kohës kur pati kryer misionin e tij ipeshkvnor në këtë qytet.

Pyetje: - Ç’ju ka lënë më shumë mbresë nga kjo fazë e parë e shtegtimit?

Përgjigje: - Më ka lënë mbresë ky fakt. Duke rimenduar edhe për shtegtimet e Gjon Palit II në atdheun e tij e duke parë tani këtë shtegtim të Benediktit XVI në atdhe, shoh se lidhja e të dy papëve me tokën e tyre të largët, që u duhet të shkojnë për ta kërkuar, gjë që ne e vërejmë posaçërisht sepse nuk janë papë italianë, është diçka që të prek thellë e që ka vlera për të gjithë. E ndjejmë si mesazh. Secili nga ne duhet të dijë t’i dojë, t’i rigjejë, t’i kuptojë rrënjët e veta, që janë edhe edukimi në fe, nga i cili njeriu mund të marrë shtytje për misionin e tij. Këtë kanë bërë të dy papët e më duket se është një shembull i madh për të gjithë. Unë u preka ndoshta edhe pse jam përgatitur për një kohë të gjatë në Gjermani, prandaj e ndjeva thellë bukurinë e kremtimeve dhe solemnitetin e tyre. Kemi edhe një traditë të shquar korale, këngë të mrekullueshme, në të cilat merr pjesë lehtësisht mbarë populli. Këtë e shikojmë edhe tek Papa, dashurinë e tij për liturgjinë, për kremtime të përgatitura mirë, plot respekt, të vetëdijshme për dinjitetin e tyre. Kjo ndjehet fuqimisht këto ditë, në sa marrim pjesë në këto çaste që janë përgatitur vërtetë mirë, me pjesëmarrje të thellë e dinjitet të madh.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.