2006-09-10 17:50:44

Gjatë Meshës në Munih Papa pohoi: ‘Njeriu i sotëm nuk e dëgjon më Zotin e rrezikohet të bjerë në cinizëm. Të besosh do të thotë ta vësh Zotin në qëndër të jetës’.


(10.9.2006 RV)Njeriu i kohëve tona nuk mund ta dëgjojë më Zotin: ndjen urgjencën e progresit, të zhvillimit, por jo atë të fesë, duke u rrezikuar kështu të bjerë në cinizëm e ta përbuzë Hyjin. Kështu u shpreh Papa në homelinë e Meshës, të cilën e kryesoi në Sheshin e Panairit të ri të Munihut përballë 250 mijë besimtarëve, në ditën e dytë të shtegtimit në atdheun e tij.
Benedikti XVI bëri ftesën për ta vënë Zotin në qëndër të jetës: vetëm kështu jeta do të ndryshojë me të vërtetë, sepse dashuria për Zotin përfshin edhe dashurinë për të afërmin. Atëherë e drejta dhe dashuria bëhen forca vendimtare në rendin e botës.
E tani mbi pritjen plotë entuziazëm të Papës nga besimtarët gjermanë e mbi kremtimin e Meshës në Munih, të ndjekim shërbimin e Albert BisakutRealAudioMP3
I dukshëm entuziazmi i Papës i cili, si u prit nga kardinali i Munihut e i Frizingës, Fridrih Veter, i drejtoi turmës përshëndetjen tipike bavareze; “Gruss Gott” – “Zoti të pëshëndet!”. Mbi elterin e përgatitur për Meshën, ishte vendosur Kryqi më i lashtë i botës, realizuar në shekullin IX e rigjetur në Bavari, dëshmi e qartë e rrënjëve të krishtera të Evropës. “Veprimtaria shoqërore dhe Ungjilli lidhen ngusht ndërmjet tyre. Atje ku u çojmë njerëzve vetëm dije, përgatitje, aftësi teknike e mjete, u çojmë tepër pak”. Është një nga fragmentet e homelisë që mbajti sot paradite Benedikti XVI nën qiellin e kthjelltë të Munihut, gjatë Kremtimit eukaristik në Sheshin e Neue Messe. Papa përshëndeti turmën e besimtarëve të ardhur nga të katër anët e Bavarisë e të mbarë Gjermanisë, por edhe nga Austria, Polonia, Zvicra, Rumania, Republika Çeke.
“Kisha katolike në Gjermani është madhështote në veprimtaritë shoqërore” – tha Ati i Shenjtë - por disa kanë idenë se projektet shoqërore duhen promovuar me urgjencën më të madhe, ndërsa gjërat që kanë të bëjnë me Zotin, madje vetë feja katolike, janë gjëra më pak të rëndësishme”.
Ndërsa – theksoi Benedikti XVI, duke pasur parasysh përvojën e ipeshkvijve afrikanë, me të cilët është takuar kohët e fundit në Vatikan në vizitë ‘ad Limina’ - të gjithë duhet ta kenë të qartë se përparësia i takon ungjillëzimit. Progresi i vërtetë shoqëror e edhe lufta kundër Sidës, mund të sigurohen vetëm përmes kthesës së zemrës, që rrjedh nga dashuria dhe pranimi i Hyjit të Jezu Krishtit. Atje ku mungon Krishti, marrin epërsi mekanizmat e dhunës; aftësia për të shkatërruar e për të vrarë bëhet aftësi mbizotëruese në përpjekjen për të shtënë në dorë pushtetin, ndërsa kriteret sipas të cilave teknika vihet në shërbim të së drejtës e të dashurisë, humbasin. Popullsitë e Afrikës dhe të Azisë – vijoi Papa – admirojnë aftësitë tona teknike dhe shkencën tonë, por njëkohësisht tremben përballë një arsyeje që e përjashton plotësisht Zotin nga vizioni i njeriut. Kërcënimin e vërtetë për identitetin e tyre, nuk e shikojnë në fenë e krishterë, por në përbuzjen e Zotit e në cinizmin i cili e konsideron talljen me gjërat e shenjta si të drejtë të lirisë dhe e ngre dobinë në lartësinë e kriterit moral kur bëhet fjalë për sukseset e ardhme të kërkimeve shkencore.
“Miq të dashur, ky cinizëm nuk është tipi i tolerances dhe i hapjes kulturore që presin popujt e që dëshirojmë neve. Toleranca, për të cilën kemi nevojë urgjente, përfshin frikën e Zotit – respektin për gjithçka kanë të shenjtë të tjerët”
Ky kuptim i respektit – theksoi Papa – mund të rilindë në Evropë, vetëm në se rritet përsëri feja në Hyjin. Por feja nuk është diçka që imponohet. Një prozelitizëm i tillë është i huaj për krishterimin. Feja mund të zhvillohet vetëm në liri. Kështu u shpreh Papa e, prej këndej, bëri thirrje për t’u siguruar njerëzve lirinë që të mund t’ia hapin zemrat Zotit, të mund ta kërkojnë, ta dëgjojnë. Vetëm në liri njerëzit mund të shërohen nga shurdhëzimi përballë zërit të Zotit, sëmundje nga e cila vuajmë posaçërisht në këtë kohën tonë. Nuk jemi më në gjendje ta dëgjojmë këtë zë - tha Benedikti XVI – janë tepër frekuencat e ndryshme që na i zënë veshët. Çka thuhet për Zotin, duket si parashkencore, e papërshtatshme për kohën tonë. Ligështimi i veshëve, që na pengon ta dëgjojmë zërin e Zotit, e kufizon horizontin e jetës sonë në mënyrë shqetësuese. Edhe sot – vijoi Papa – ashtu si në fragmentin ungjillor të shurdhmemecit të shëruar, Jezusi dëshiron ta mjekojë shurdhësinë tonë duke na prekur e duke thënë “Effata! Hapu!”, për të na bërë përsëri të aftë ta dëgjojmë Zotin e për të na dhuruar një vështrim të ndryshëm mbi njeriun dhe mbi gjithësinë. Izaia profet, duke iu drejtuar një populli të shtypur, thoshte: “Hakmarrja e Zotit s’do të vonojë!” Por ç’është kjo hakmarrje? “Kryqi – shpjegoi Benedikti XVI – përgjigja “Jo” që i jepet dhunës, dashuria deri në fund të fundit.
“Është ky Zoti, për të cilin kemi nevojë. Nuk na mungon respekti për religjonet e kulturat tjera, as respekti i thellë për fenë e tyre, në se e rrëfejmë me zë të lartë e pa u lëkundur këtë Zot, që dhunës i kundërvë vuajtjen e vet; që përballë së keqes dhe pushtetit të saj, larton si kufi e tejkalim, mëshirën e vet”.
Nevoja e shikimit të Zotit si qendër e realitetit e si qendër e jetës së individit e të bashkëjetesës së qetë e paqësore ndërmjet njerëzve, u ripohua nga Papa edhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Shembull dhe personifikim i një sjelljeje të tillë – nënvizoi Shenjtëria e Tij - është Maria, Nëna e Zotit. Ajo, gjatë gjithë jetës së saj tokësore, qe Grua e dëgjimit, Virgjër që ia hapi zemrën Zotit e njerëzve. Këtë besimtarët e kuptuan që në shekujt e parë të krishterimit, prandaj në çdo nevojë e ngushticë iu drejtuan Asaj plot besim e shpresë, duke iu lutur t’i ndihmonte e të ndërmjetësonte për ta pranë Hyjit.
Në vijim Papa kujtoi se këtë, në Tokën bavareze, e dëshmojnë qindra kisha e shenjtërore kushtuar Zojës së Bekuar. Janë vende në të cilat gjatë gjithë vitit rrajnë shtegtarë të panumërt, për t’ia besuar vetveten dashurisë amtare plot kujdes të Marisë – tha Papa – dhe më pas kujtoi shenjtëroren e Altötingut, ku do të shtegtojë nesër dhe Mariansaule – Shtyllën e Marisë, tek këmbët e së cilës dje jetoi çaste të gëzueshme feste në fe. “Entuziazëm më i madh e më i ngrohtë se ai napoletan” – tha me shaka Papa, të cilin bashkatdhetarët e shoqëruan në çdo hap me duatrokitje e brohoritje të stuhishme.







All the contents on this site are copyrighted ©.