2006-09-10 18:58:10

Eukaristia formon bashkësinë universale, në të cilën Zoti jeton me ne – tha Benedikti XVI gjatë Lutjes së Mbrëmores në Munih.


(10.9.06 RV)Pasdite Benedikti XVI shkoi në katedralen e Munihut, kushtuar Zojës së Bekuar, që mund të zërë 3 mijë vetë, në sa sot ishin të pranishëm shumë më tepër: fëmijë të Kungimit të parë, familje të reja, bashkëpunëtorë baritorë e liturgjikë të Kishës dhe besimtarë vendas e të huaj.
I shoqëruar nga Kryeipeshkvi i Munih-Frizingës, kardinali Veter, Papa u drejtua nga kapela e të Shenjtnueshmit Sakrament e më pas zbriti në kriptë, ku u lut pranë varreve të kryeipeshkvijve të Munihut e Frizingës. Pastaj u ngjit në elterin e madh për të filluar kremtimin e lutjeve mbrëmësore me temë: “Na bëj të fortë në fe!”.
Gjatë homelisë, duke pasur parasysh Leximet liturgjike e sidomos vegimtarin e Librit të Zbulesës, që shikon drejt qiellit, drejt së ardhmes, Papa Benedikti XVI theksoi se gjatë jetës sonë të gjithë jemi në shtegtim drejt së ardhmes dhe dëshirojmë të gjejmë rrugën e drejtë: të zbulojmë jetën e vërtetë, të mos përfundojmë në shteg të verbër ose në shkretëtirë. Nuk dëshirojmë që të themi në fund: hyra në rrugë të shtrembër, jeta ime dështoi, shkoi pa fryt. Ne duam të gëzohemi nga jeta, duam – siç ka thënë Jezusi, - ta kemi jetën me begati- nënvizoi Ati i Shenjtë dhe më pas, duke u rikthyer tek leximet liturgjike, kujtoi se vegimtari i Librit të Zbulesës flet për një botë të pajtuar me Zotin dhe vijoi ta shtjellojë homelinë në formë pyetje-përgjigjesh, duke filluar nga pyetjet: “Si mund të ndodhë kjo? Cila është rruga që të çon në pajtim? Përgjigja e parë – vijoi Ati i Shenjtë – është se këta njerëz jetojnë me Hyjin. E ne duhet të jemi të sigurtë se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vemë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet.
Në Jezusin është Zoti që na pret – përsëriti në vijim Papa dhe më pas pyeti përsëri: “Po si mund të ndodhë kjo?”. Përgjigja e menjëhershme ishte: përmes Pagëzimit. Gjithsesi Pagëzimi është vetëm fillim. Duke ecur me Jezusin, në fe e në jetë me Të, dashuria e Tij na prek, për të na pastruar e na bën– ashtu si na e kujton Libri i Zbulesës - të ndritshëm, me veshje të bardha, të lara me gjakun e Qëngjit. Në vijim Benedikti XVI shpjegoi simbolin e veshjeve të bardha që tregojnë se në fe ne bëhemi dritë, heqim dorë nga errësira, nga gënjeshtra, nga mashtrimi, nga të gjitha të këqijat, bëhemi njerëz të pahile, të denjë për Zotin. Petku i Pagëzimit, ashtu si ai i Kungimit të parë duan të na kujtojnë e të na thonë: përmes bashkëjetesës me Jezusin e me bashkësinë e besimtarëve, me Kishën, edhe ti bëhesh njeri i ndritshëm, plot vërtetësi e mirësi – njeri nga i cili tejduket shkëlqimi i së mirës, i mirësisë së vetë Zotit.
Më pas Benedikti XVI, duke kujtuar gjithnjë vegimtarin e liturgjisë, i dha përgjigje pyetjes “Ku e gjejmë Jezusin”: “Qëngji – shpjegoi Papa - u prin turmave të njerëzve, që i përkasin çdo kulture e çdo kombi drejt gurrave me ujë të gjallë. Pa ujë s’ka jetë. Prandaj uji bëhet simbol jete e Jezu Krishti është burimi i vërtetë i jetës, në të cilën na dhurohet Hyji. E këtë e bën posaçërisht në Kungimin shenjt, përmes të cilit mund të pijmë drejtpëdrejtë në burimin e jetës. Ai vjen ndër ne dhe bashkohet me secilin prej nesh. E ne mund të vërejmë se përmes Eukaristisë, Sakramentit të Kungimit, formohet një bashkësi që i kapërcen të gjithë kufijtë e përfshin të gjitha gjuhët – Kisha universale, në të cilën Zoti flet e jeton me ne.
Më pas Papa iu drejtua prindërve, duke i porositur t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për të besuar, t’i shoqërojnë në rrugën drejt Kungimit, drejt Jezusit e me Jezusin. Ju lutem - nënvizoi Ati i Shenjtë – shkoni së bashku me fëmijët tuaj në Kishë për të marrë pjesë në Kremtimin eukaristik të së dielës. Do ta shikoni se kjo nuk është kohë e humbur.
Duke iu drejtuar mësuesve të fesë dhe edukatorëve, Benedikti XVI i luti ta kenë parasysh në shkollë kërkimin e Zotit, të atij Zoti që na u bë i dukshëm në Jezu Krishtin. E di – vijoi Papa- se në botën tonë pluraliste është e vështirë ta hapësh në shkollë dialogun mbi fenë. Por nuk është aspak e mjaftueshme që fëmijët e të rinjtë të marrin në shkollë vetëm dijet dhe përgatitjen teknike e të mos njohin kriteret që i japin drejtim e kuptim dijeve e aftësive. Nxitini nxënësit të pyesin nga vjen e ku shkon jeta jonë - theksoi Papa e, së fundi, i porositi barinjtë dhe të gjithë ata që zhvillojnë veprimtari në Kishë, ta bëjnë famullinë atdhe shpirtëror për njerëzit, familje të madhe, në të cilën provojnë njëkohësisht gëzimin e familjes edhe më të madhe të Kishës universale, duke mësuar përmes liturgjisë, katekizmit dhe të gjitha veprimtarive të jetës famullitare, të ecin së bashku në rrugën e jetës së vërtetë.
Përfundoi kështu edhe dita II e shtegtimit IV ndërkombëtar të Benediktit XVI në Gjermani. Pas Munihut, etapë e parë e shtegtimit, nesër Papa nis etapën II – atë të Altötingut, ku do të kremtojë Meshën shenjte dhe do të përurojë Kapelën e Adhurimit të të Shenjtnueshmit Sakrament. Më pas do të vizitojë Bazilikën e Shën Anës, ku do të kremtojë lutjet mbrëmësore me rregulltarët e seminaristët, në përfundim të të cilave, rreth orës 18. 15 do të niset për në vendlindje, në Marktl am Inn e më pas në Regensburg. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.