2006-09-09 17:13:23

Nga Bavaria, Benedikti XVI u bën thirrje gjermanëve t’u qëndrojnë besnikë vlerave të krishtera. Përshëndet edhe luteranët e ortodoksët.


(9.9.2006 RV)Filloi shtegtimi IV apostolik ndërkombëtar i Papës Benedikti XVI në tokën gjermane e bavareze, me moton “Kush beson, nuk është kurrë vetëm”.
Shenjtëria e Tij arriti nga Aeroporti romak i Çampinos në aroportin ‘Franc Jozef’ të Munihut në orën 15. 30. Kujtojmë se Munihu, që njihet edhe me emrin ‘metropoli me zemër’, qëndër kryesore e Bavarisë dhe qyteti i tretë i rëndësishëm në Gjermani, pas Berlinit dhe Hamburgut, ka 1 milion e 280 mijë banorë.
Këtu për ta pritur Papën kishin dalë Presidenti i Republikës, Dr. Horst Köhler, Kancelarja federale, Dr Angela Merkel, Nunci Apostolik në Gjermani, imzot Jozef Ervin Ender dhe personalitete të tjera shtetërore e kishtare, civile e ushtarake.
Ceremonia e mirëseardhjes nisi me nderimet ushtarake, vijoi me ekzekutimin e himneve të të dy vendeve dhe me përshëndetjen e rastit drejtuar Atit të Shenjtë nga Presidenti i Republikës, Dr. Horst Köhler.
Sapo shkeli në tokën amtare, në fjalimin e mirëseardhjes, Papa u shpreh plot emocion për qëllimin e këtij shtegtimi në tokën gjermane e bavareze. Kthehem – nënvizoi Ati i Shenjtë – në Atdheun tim, ndërmjet njerëzve të mi, me programin për të vizituar disa vende që kanë pasur rëndësi themelore në jetën time. Theksoi kështu se ky shtegtim i ngjet një kthimi në të kaluarën e se ka një përmasë të ndjeshme personale. Kujtoi, prandaj, kohën kur jetoi në Munih e Regensburg, njerëzit e ngjarjet që i kanë lënë gjurmë të thella në kujtesë, të cilëve u shprehu mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë në formimin e personalitetit të tij. E më pas kujtoi edhe se është në Bavari si pasardhës i Shën Pjetrit, për të shpallur e përforcuar lidhjet e thella ndërmjet Selisë së Romës dhe atdheut të tij.
Janë lidhje – theksoi Papa Racinger - që kanë një histori shekullore, të ushqyer nga bashkimi me vlerat e fesë së krishterë, bashkim për të cilin mund të krenohen në mënyrë të posaçme zonat bavareze. E këtë – vijoi Benedikti XVI– e dëshmojnë qartë monumentet e famshme, katedralet madhështore, shtatoret e pikturat me vlera të mëdha artistike, veprat letrare, nismat kulturore e sidomos shumë ngjarje të bashkësive të veçanta, të cilat pasqyrojnë bindjet e krishtera të breznive, të transmetuara nga breznia në brezni në këtë tokë të dashur.
Shenjtëria e Tij u ndalua edhe tek marrëdhëniet e Bavarisë me Selinë e Shenjtë, që janë karakterizuar gjithnjë nga fryma e përzemërsisë dhe e devocionit të sinqertë, gjë që e dëshmon Shtylla e lartë mbi të cilën ngrihet Shtatorja e Zojës së Bekuar, në gjermanisht Mariensäule, në sheshin qëndror të Munihut.
Ndonëse rrethanat e sotme shoqërore ndryshojnë nga ato të së kaluarës, Papa shprehu besimin se edhe breznitë e reja do t’i qëndrojnë besnike trashëgimisë shpirtërore e se vlerat themelore të fesë së krishterë do të vijojnë t’u transmetohen edhe qytetarëve të së nesërmes.
Ati i Shenjtë i drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt banorëve të Bavarisë e të mbarë Gjermanisë, e jo vetëm besimtarëve katolikë, por edhe anëtarëve të Kishave e bashkësive të ndryshme kishtare, posaçërisht të krishterëve luteranë e ortodoksë si dhe ndjekësve të besimeve të tjera dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. Një përshëndetje të përzemërt edhe atyre që kanë punuar për të përgatitur takimet e shumta të këtij shtegtimi. Në përfundim Shenjtëria e Tij ia besoi shtegtimin IV Apostolik Virgjës Mari, Pajtore e tokës bavareze.







All the contents on this site are copyrighted ©.