2006-09-08 17:44:46

Çeku u premtoi pakicave ligje demokratike. Tadiqi: “Vetëm autonomi për Kosovën.”


(8.9.2006 RV)Kryeministri i Kosovës Agim Çeku u premtoi pakicave, dhe në veçanti serbëve, se pas pavarësisë së Kosovës do të gëzojnë të drejta të barabarta me ato që gëzojnë pakicat në vendet më demokratike të botës. Po ashtu i ftoi të gjithë të marrin pjesë aktive në jetën e vendit. E ndërsa Çeku mendon për pavarësinë e plotë të Kosovës, sot kryeministri serb Boris Tadiq tha në Uashington se është i gatshëm për t’i dhënë Kosovës autonominë më të gjerë, por jo pavarësi, sepse kështu do të nxiten lëvizjet terroriste në Ballkan.

Lajme të tjera

Talebanët afganë morën përsipër përgjegjësinë për atentatin me kamikaze që sot shkaktoi 18 të vdekur në Kabul, përfshi edhe dy ushtarë amerikanë. Atentati ndodhi në afërsi të ambasadës amerikane dhe ishte drejtuar kundër një autokolone me ushtarë. Ky është atentati i dytë këtë javë, që talebanët ndërmorën këtë javë.

Kryetari i Al-Kaedës në Irak Abu Hamza u bëri thirrje irakianëve me anë të një kasete të regjistruar, që të mos lëshojnë armët dhe të mos rrinë urtë. “Secili prej jush të vrasë brenda 15 ditëve të ardhshme të paktën një amerikan, me pushkë snajpere, me bomba kamikaze apo me shishe molotov.”- tha kryetari i Al-Kaedës. Kaseta audio u transmetua nga televizioni Al-Xhazira.

Kur kanë mbetur tri ditë nga përvjetori i atentateve të 11 shtatorit në SHBA, televizioni Al-Xhazira transmetoi një video të Osama Bin Ladenit dhe të disa zëvendësve të tij gjatë përgatitjeve të sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington. Ndër ta duket edhe organizatori i atentateve Ramzi Binalshibh.

SHBA i kërkuan Këshillit të Sigurisë të OKB-së të vendosë sanksione kundër Iranit për shkak të mospezullimit të pasurimit të uraniumit. Lajmi u kumtua nga zëvendësekretari i shtetit Nicolas Burns. Ndërkaq negociatori iranian Ali Larixhani pati një takim sot në Romë me kryeministrin Romani Prodi, kurse nesër do të takohet me përfaqësuesin e lartë të BE-ian Javier Solana.

Tragjedi në Indi. Disa atentate të ndryshme në afërsi të xhamisë së Malegaonit, në shtetin e Maharashtrës shkaktuan 35 të vdekur, shumica besimitarë myslimanë pjesëmarrës në lutjet e së premtes.







All the contents on this site are copyrighted ©.